Në Slloveni është mbajtur sot samiti i 11-të i Brdo-Brijunit, ku u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Vjosa Osmani në një deklarim për media ka thënë ka thënë se Kosova është vend që përputhet plotësisht me aspiratat e Bashkimit Evropian.
“Sa më shumë që është prezente prania e BE-së në Ballkan, aq më shumë paqe e siguri do të ketë në këtë rajon dhe në BE. Kosova do të jetë anëtare e barabartë e këtij rajoni. Si e tillë ajo ka dhënë propozimet që edhe janë marrë parasysh në këtë samit”.
Ajo ka vlerësuar rolin e Sllovenisë dhe Kroacisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Osmani ka shprehur kënaqësinë e që njëra prej këtyre pikave kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentum më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm dhe kemi mbështetjen e nikoqirit”.
“Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, deklaroi Osmani.
Presidentja thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është çështje që lidhet me vet kredibilitetin e BE-së.
“Ne kemi zgjedhur rrugën e integrimeve euro-atlantike me vullnet të plotë”.
Ajo përmendi edhe aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE.
“Shpresojmë se do të pranohet aplikimi nga secili shtet i BE-së”, shtoi Osmani.
Ndryshe, në fund të samitit të Procesit Brdo-Brijunit, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave.