Ndeshja e barazhit ndërmjet Malishevës dhe Vushtrrisë do të zhvillohet nesër në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’, në Podujevë.
Pritet të jetë një ndeshje jashtëzakonisht interesante, me dy skuadrat që duan të jenë në nivelin elitar të futbollit kosovar për edicionin tjetër.
Malisheva kërkon që të militojë, kurse Vushtrria synon rikthimin e madh në Superligën e futbollit tonë.
Vushtrria mposhti Lirinë në ‘play-offin’ e vendeve të dyta në Ligën e Parë të Kosovës, vetëm pas penalltive pasi që rezultati në kohën e rregullt ishte 1-1.
Trajneri i kësaj skuadre, Samuel Nikaj, tha se janë jashtëzakonisht të përgatitur për këtë takim dhe se kanë merituar edhe më shumë gjatë këtij sezonit.
“Nesër është ndeshja e fundit e një sezoni të gjatë dhe të vështirë, ne me shumë meritë kemi arritur deri këtu dhe tani jemi një hap larg Superligës. Mendoj se merituam më shumë për atë që kemi dhënë gjatë këtij sezoni, megjithatë fati është mbreti i botës dhe nesër na duhet fati për të kurorëzuar një sezon që të mbahet mend. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe besoj se do t’ia dalim, sepse kam besim te ekipi dhe tek motivi që na japin tifozët tanë më të fortë në Kosovë“, tha Nikaj.
Ky takim zhvillohet në ora 17:00.