Sarrazin: Kosova s’do të ftohet në Samitin e Berlinit nëse nuk e nënshkruan marrëveshjen për CEFTA

Sarrazin: Kosova s’do të ftohet në Samitin e Berlinit nëse nuk e nënshkruan marrëveshjen për CEFTA

Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur mbi situatën aktuale dhe sfidat që po përballet Kosova në kontekstin e Samitit të Berlinit dhe të ardhmes së Procesit të Berlinit.

Sarrazin tha se vjen nga një prapavijë politike që është shumë pro Kosovës, ku sipas tij, Gjermania është angazhuar për pavarësinë e Kosovës që nga dita e parë e edhe më herët.

“Dhe ndoshta e mbani mend edhe angazhimin tim personal kur ka pasur debate për atë këmbimin e territoreve dhe shumë debateve tjera, por duhet ta them qartë se sigurisht se do ta nderojmë flamurin dhe shtetin e Kosovës, sigurisht se do të ftohen të gjithë. Çështjet protokolare do të jenë të njëjta, edhe në darkën e Krishtlindjeve, por nëse duan të marrin pjesë në ato dhuratat e Krishtlindjes, atëherë duhet të marrin vendime”.

“Pra, nuk mund t’i japim dhurata atyre që nuk e duan Babadimrin. Pra, duam ta zhbllokojmë gjithë procesin, jo vetëm të mbajmë një samit sa për sy e faqe. Pra, në njërën anë na duhet Kosova të jetë pjesë e tryezës ose do të vazhdojmë tryezën pa Kosovën. Një mekanizëm të ndërsjellë që do të nënshkruhet pa Kosovën, pra të merren vendime për pesë anëtarë e jo për gjashtë”, tha Sarrazin në një intervistë në RTK

Tutje, ai tha se Kosova nuk mund t’i bllokojë shtetet e tjera të rajonit në këtë proces , teksa përmendi se “nuk do ta ftojmë Kosovën në mekanizimin e përkohshëm nëse nuk lëvizet në heqjen e masave tregtare”.

“Ne sigurisht shpresojmë që Kosova të marrë pjesë në samit, ne nuk do ta ftojmë pastaj Kosovën në mekanizmin e përkohshëm nëse nuk lëvizet në heqjen e masave tregtare, që për mendimin tim nuk është që po sjellin më shumë siguri, por që po veprojnë kundër tregtisë së lirë, madje edhe për produktet gjermane nga Serbia. Kjo është situata”.

“Nuk është ndonjë goditje ndaj Kosovës. Mund të jetë vetëm thjesht vlerësim ndryshe. D.m.th duhet të ecim tutje. Kosova duhet të jetë në tryezë. Nëse qeveria e Kosovës të thotë se nuk po na pëlqen kjo marrëveshje dhe të tjerët na ofrojnë më shumë, sigurisht se janë të lirë ta marrin këtë vendim. Thjesht nuk do ta kenë mundësinë të na bllokojnë neve dhe pesë të tjerët në këtë rajon në këtë bashkëpunim”, tha Sarrazin.

Ai ka folur edhe për pasojat e Kosovës në rast se nuk vepron konform këshillave gjermane për CEFTA-n, ku përmendi se në Bruksel, disa njerëz po i thoshin se nëse Kosova e bllokon CEFTA-n, do të jetë shumë vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes.

“Marrëveshja është në tryezë. Nëse Kosova nuk e shfrytëzon këtë nuk do të arrijë gjërat e tjera në atë tryezë. E kemi bërë të qartë se ky mekanizëm e ka mundësinë që Kosova të kthehet në një moment të mëvonshëm, por që pastaj çmimi është më i lartë”.

“Nganjëherë është më mirë të nënshkruash marrëveshjen se sa të presësh më vonë, sepse mund të lëvizë edhe çmimi. Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.

“Konkretisht për Kosovën mund të jetë pengesë në atë planin CEEPA. Pasojat, pra mund të jenë për popullin, për qytetarët. Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët. Por, kjo nuk është goditje kundër Kosovës, por është nevojë urgjente për të ecur tutje në këtë bashkëpunim rajonal. E përsëris, duam që Kosova të jetë në tryezë, është ideologji e jona si Gjermani. Është agjendë që ta bëjë këtë, por Gjermania nuk mund ta presë Kosovën, nëse nuk arrin të bëjë marrëveshjen”, ka nënvizuar Sarrazin.

Related Articles