I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka filluar takimet me zyrtarët e lartë në Kosovë.
I pari në listën e takimeve ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi e priti në takim të dërguarin e Gjermanisë bashkë me kandidatin për kryeminsitër nga kjo parti, Bedri Hamzën, si dhe nënkryetaren Vlora Çitaku, në selinë e PDK-së.
“Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë. Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.
Krasniqi tha se për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është “tejet i rëndësishëm”.
“Në këtë drejtim, PDK mbështetë të gjitha nismat e mirëfillta të cilat rrisin dhe fuqizojnë bashkëpunimin konstruktiv rajonal – si hap konkret drejt përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian. Emisarin Sarrazin e falënderova për kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë për Kosovën”, u shpreh tutje Krasniqi. /Gazeta Enigma