Ideja për një testim të mësimdhënësve po konsiderohet e gabuar dhe se nuk duhet të ndodhë, ku në vend të kësaj propozohet që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit në mënyrë që të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po edhe njohës të fushës së arsimit, thonë se testimi nuk do të prodhonte asnjë rezultat në ngritje të cilësisë së arsimit në Kosovë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, thotë se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë asnjëherë të bëhet.
“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, thotë ai.
Testimin e mësimdhënësve e kundërshtojnë edhe njohës së fushës së arsimit, të cilët thonë se duhet të ketë një mbikëqyrje të vazhdueshme të performancës së mësimdhënësve.