Schmitt: Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë

Schmitt: Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë

Teksa vëzhgon situatën gjeopolitike, e përgjigjet për identitetin e Kosovës, ajo që thotë historiani i njohur zviceran Oliver Jens Schmit, është alarm. Thotë se shteti duhet të përgatitet “për një konflikt të mundshëm ushtarak”.

“Do të ishte më e rëndësishme të flitej për mbrojtjen ushtarake, mbrojtjen civile, spitalet, planet e emergjencës dhe të përgatiten ato seriozisht sesa për gjuhën dhe letërsinë”, thotë Schmitt.

Sipas tij, krahas Republikës së Moldavisë, Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë. “Në Kosovë, rreziku i luftës nuk diskutohet më seriozisht sesa në vendet e tjera evropiane. Ajo që nevojitet tani nuk janë debate për identitetin, por përgatitje serioze për një sulm”, thotë Shcmitt.

Si demokraci stabile e përshkruan Kosovën në 17-vjetorin e pavarësisë historiani zviceran Oliver Jens Schmitt. Anëtari i Akademisë austriake të Shkencave thotë se brenda kulturës shqiptare, Kosova ka kulturën e saj, jo në kuptimin gjuhësor, por në atë politik. Schmitt, i cili pos studimit të së kaluarës, është edhe vrojtues i hollë i Ballkanit, thotë se Kosova dallon dukshëm nga Shqipëria ku vazhdon trashëgimia e kulturës enveriste.

Ai thotë se islami politik po përparon në Kosovë dhe po fiton ndjekës, veçanërisht te brezi i ri. Sipas tij, në këtë rast pyetja është se si pozicionohet Kosova mes Evropës dhe botës islame.

“Por këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjen vetë kosovarët”, thotë ai. Sipas Schmittit, administrata e presidentit amerikan Donald Trump duket nuk është më e gatshme të garantojë sigurinë e Evropës.

Në një rast të tillë për shkencëtarin e njohur, qasja e Trumpit ka pasoja dramatike për BE-në. Konsideron se shtetet e BE-së nuk janë të përgatitura ushtarakisht për një konflikt me Rusinë, raporton koha.net.

“Pa mbrojtjen amerikane, BE-ja duhet të presë një sulm rus”, thotë ai për Kohën.

Në këtë rast përmend edhe Kosovën si vend të rrezikuar. Thotë se krahas Republikës së Moldavisë, Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë. Këshillon që Kosova duhet të bëjë përgatitje serioze për një sulm.

I lindur më 1973 në Bazel të Zvicrës, Oliver Jens Schmitt, profesor i historisë së Evropës juglindore në Universitetin e Vjenës thotë se Qeveria serbe është nën një presion të madh dhe mund të përpiqet të organizojë një konflikt me Kosovën. Tërheq vërejtjen se Serbia është riarmatosur masivisht vitet e fundit. Thotë se  prania amerikane në Kosovë e ka penguar Serbinë që të përdorë këto armë dhe se BE-ja nuk mund të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fuqi mbrojtëse e Kosovës.

“Prandaj do të ishte e rëndësishme që Kosova të ketë shpejt një qeveri stabile që e përgatit, me të gjitha palët e rëndësishme, shoqërinë për një konflikt të mundshëm”, thotë Schmitt, i cili në qendra të njohura të botës gjermanishtfolëse si Bazeli, Vjena, Berlini e Munihu, ka studiuar për Bizantin, për filologjinë greke, greqishten moderne si dhe historinë e Evropës lindore.

Duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, Schmitt thotë se tash është koha të bëhet fjalë për përgatitjen e Kosovës si shtet për një konflikt të mundshëm ushtarak. Sipas tij, në vend të debateve për identitetin do të ishte më e rëndësishme të flitej për mbrojtjen ushtarake, mbrojtjen civile, spitalet, planet e emergjencës.

Studiuesi që jeton në Vjenë ka përvojë të gjatë studimore e ligjëruese në vende të ndryshme të Evropës.  Ka ligjëruar në universitetet e Munihut dhe të Bernit, kurse për një kohë ka qenë edhe profesor në College de France.

Që prej 2017-s, ai është kryesues i Departamentit për Humanitete dhe Shkenca Shoqërore pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë, teksa në të njëjtën kohë kryeson edhe departamentin kërkimor për studimet ballkanike në Institutin për Histori Moderne dhe Bashkëkohore të autoritetit më të lartë shkencor në Austri. Interesimet e tij për historinë janë tejet të gjera, me fokus sidomos vitet e mesjetës dhe trevën adriatike të Ballkanit si dhe Rumaninë. Kontributet e Schmittit shkojnë edhe botën mesjetare shqiptare, me tituj si “Arbëria Venetike”, “Kosova”, “Skën¬derbeu” e “Shqiptarët”.

Në marsin e vitit 2022 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kishte promovuar veprën e tij, “Ballkani në shekullin XX – Një histori post-imperiale” dhe pesë vëllimet e  botimeve me material arkivor të Akademisë austriake të Shkencave për Kosovën të përgatitura nga Schmitt dhe Eva Anne Frantz. Vëllimet përfshijnë raportet e konsujve austro-hungarezë për Kosovën nga viti 1870 deri më 1914.

Related Articles