Kosova ka kapërcyer edhe një prag në raport me Serbinë, duke e arritur kështu marrëveshjen për lëvizje të lirë, shkruan Gazeta Enigma.
Arritja e kësaj marrëveshje është pritur mirë, derisa nga Serbia theksuan se kjo marrëveshje e ruan paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Vlen të theksohet se, disa ditë më parë pati përshkallëzim të situatës në veri, mirëpo thirrja e SHBA-së për të shtyrë vendosjen e marrëveshjes bëri që situata të qetësohet.
Sipas analistit, Gazmir Raci, kjo arritje e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ka ndikuar shumë në uljen e tensioneve.
“Arritja e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ka ndikuar shumë në uljen e tensioneve”, tha Raci, duke theksuar se reagimi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s tregon se sa e ndjeshme ka qenë situata në veri.
Raci thekson se Kosova në asnjë moment nuk duhet të dalë nga qëndrimi i saj që duhet të angazhohet për zbatim të të gjitha obligimeve që kanë dalur nga dialogu në Bruksel.
Mes tjerash, Raci për Gazetën Enigma thotë se “zgjidhja e secilës çështje që ka mbetur e hapur krijon progres dhe i ndihmon Kosovës shumë në rrugën e saj për integrim në Bashkimin Evropian, sepse dëshmohet se Kosova është konstruktive por edhe konsistente në qëndrime”.
Ai shton se nëse qeveria dhe kryeministri vazhdon të mbajë këtë konstistenc në qëndrime në raport me dialogun, sipas tij Kurti do t’i dalë ballë sfidave.
“Qeveria dhe kryeministri nëse vazhdon ta mbajë këtë konsistenc në qëndrime në raport me dialogun, do t’i dalë ballë sfidave, por kjo duhet të shoqërohet edhe me një partneritet strategjik me amerikanët dhe evropianët”, ka shtuar Raci.
Ndërsa, analisti për çështje ndërkombëtare, Dritro Arifi thotë për Gazetën Enigma se kjo është një arritje e mirë dhe solide, por që sipas tij nuk duhet të gëzohemi në hapat e vegjël.
Arifi thekson se kjo tregon që insistimi i qeverisë Kurti e detyroi Serbinë ta heq letrën e bardhë për hyrje-dalje. Sipas tij, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në praktikë dhe se a do të respektohet marrëveshja në plotëni apo do të ketë letra provokuese nga pala serbe.
Cilat janë përparësitë dhe sfidat për Kosovën pas arritjes së marrëveshjes?
Anlisti Arifi thotë se nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë qytetarët andej dhe këndej kufirit, seps sipas tij largohen të gjitha barrierat sa i përket pikave kufirtare.
“Përfitojnë të gjithë qytetarët andej dhe këndej kufirit, pra edhe shqiptarët edhe serbët sepse largohen të gjitha barrierat sa i përket pikave kufitare”, tha ai.
Ndërsa, sfida për Kosovën, Arifi thotë se do të ketë në vazhdimësi.
“Sfida do të ketë të vazhdueshme, sepse Serbia nuk është aktorë racional dhe kjo nuk do të thotë asgjë që e ka bërë një lëshim të vogël sepse problemet kryesore ende nuk janë zgjidhur”, ka shtuar Arifi.
Ai shton se “nëse vazhdohet me këtë reciprocitet mund të arrijm shumë më shumë, por nëse tregohemi se a po shkojm një hap prapa do të ishte shumë poshtëruese për Republikën e Kosovës”.
Si u prit marrëveshja e arritur Kosovë-Serbi?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane.
Tutje, ajo falënderoi SHBA-të dhe Bashkimin Evropian për rolin e tyre mbështetës.
“Reciprocitet e barazi. Liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.
“Falenderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për rolin e tyre mbështetës. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke”.
Ndërsa, kryeministri Kurti tha se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.
“Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, tha Kurti.
Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se marrëveshja me Kosovën për dokumentet identifikuese është e mirë për vendin me të cilin ai udhëheq.
“Është një marrëveshje verbale dhe mendoj se kemi arritur të korrigjojmë diçka”, tha Vuçiq, raporton Tanjug.
“Ne kemi luftuar për shtetësinë serbe në Kosovë, që dokumentet e Serbisë të jenë të vlefshme në Kosovë kemi gjetur interpretimin më të mirë, që është se serbët në Kosovë kanë të drejtën e dokumenteve të Serbisë”, shtoi ai.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje, siguron paqe dhe stabilitet.
“Falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq, sot arritëm të marrim garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe në këtë mënyrë të arrijmë marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet serbe”.
“Me të, ne arritëm të sigurojmë paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe të ruajmë letërnjoftimet serbe për serbët në krahinën jugore, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit. Prandaj mund të them se kemi lajme të rëndësishme”, tha ai përmes një deklarate me shkrim.
Sipas tij, me këtë marrje është ruajtur prania e shtetit të Serbisë në Kosovë. Ai thekson se nuk dotë heqin dorë nga tabelat “KM”.
Petkoviq tha se ky është një vendim shumë i rëndësishëm dhe domethënës pas një lufte të gjatë dhe të vështirë diplomatike në javët e fundit, sipas tij, nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
“Ne arritëm të arrijmë një marrëveshje dhe të marrim garancitë e BE-së, që ishte gjëja më e rëndësishme për ne, dhe që në fakt do të thotë se ne arritëm të ruanim letërnjoftimet serbe për serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Petkoviq.
Në këtë rast, analisti Arifi thekson se “duke e njohur qeverinë Kurti dhe kryeministrin, nuk do tërhiqet nga targat, sepse është duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosvës, ashtu siç duhet ta bëjë çdo qytetarë i këtij vendi”.
Vlen të theksohet se përveç reagimeve nga përfaqësuesit politikë, kjo temë është raportuar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare.
LEXO EDHE: Mediat e huaja raportojnë për marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë
Ndryshe, nga viti 2011 deri më 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar 25 marrëveshje, disa prej të cilave janë zbatuar plotësisht, disa pjesërisht e disa aspak. /Gazeta Enigma/.