Kosova të dielën më 9 tetor i mësoi kundërshtarët me të cilët do të luftojë për të zënë vend në fazën e grupeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024” që mbahet në Gjermani.
‘Dardanët’ do të jenë pjesë e Grupit I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Andorrën dhe Bjellorusinë.
Kualifikimet për “Euro 2024” për Kosovën do të nisin më 25 mars të vitit 2023 për të përfunduar më 21 nëntor të po atij viti.
Djelmoshat e udhëhequr nga trajneri Alain Giresse do të kenë punë të vështirë me kombëtare si Zvicra, Izraeli e Rumania, kurse punë më të lehtë pritet të kenë ndaj Bjellorusisë dhe Andorrës.
Analistët dhe trajnerët e futbollit, Gani Sejdiu dhe Arbnor Morina në një bisedë për Gazetën Enigma, kanë treguar se cilat janë gjasat e Kosovës për kualifikimet në “Euro 2024”.
Trajneri mitrovicas, Gani Sejdiu thotë se Kosova pasur fat në short, mirëpo sipas tij nuk ka asnjëherë grup të lehtë, pavarësisht se me cilat skuadra luan.
“Fillimisht me qenë real për kombëtaren tonë asnjë short nuk është i lehtë, sepse gjithmonë jemi në atë pozicion qe jemi në grup me përfaqësuese që janë në nivel më të lartë se ne. Mirëpo, nëse shikojmë nga aspekti sportiv dhe mundësitë që i kemi, unë mendoj se nuk është short i vështirë, nuk ka short të lehtë asnjë short nuk është i lehtë. Por, mund të themi se kemi pasur fat në këtë short”, thotë Sejdiu për Gazetën Enigma.
Përveç Zvicrës, sipas analistit të futbollit, Gani Sejdiu të gjitha skuadrat tjera janë të kalueshme.
“Pse e them se është grup jo i lehtë, grup i përshtatshëm për ne edhe që na jep shpresë që mundemi me bo diçka, sepse përveç Zvicrës që gjithë pajtohemi që është në nivel tjetër, pasi e ka vërtetu në kompeticionet evropiane dhe botërore është pjesëmarrëse, është kombëtare që është mbi ne nuk disikutohet, të gjitha këto tjerat pavarësisht se në ranglistën e FIFA-s janë mbi ne, por ajo nuk është ndonjë përcaktues që e përcakton forcën reale ndaj kombëtare kjo ranglista. Unë mendoj që të gjitha këto janë të kalueshme”, shprehet Sejdiu duke e vlerësuar Zvicrën si një kombëtare të rangut të lartë.
Sejdiu e vlerëson edhe Izrealin si një komëbtare serioze duke e marrë shëmbull paraqitjen e kësaj kombëtare ndaj Shqipërisë.
“Izraelin e kemi parë që është një kombëtare serioze, ne e kemi parë edhe me Shqipërinë tasht çfarë paraqitje ka bërë, është kombëtare që duhet me u vlerësu shumë. Përveç Zvicrës, të gjitha këto tjerat janë kombëtare që ne mund t’i kalojmë”, vlerëson ish-trajneri i disa skuadrave kosovare.
Gani Sejdiu e sheh këtë grup si të kalueshëm, mirëpo ai thotë se Kosova duhet të punojë më shumë me vetën e saj për t’i eliminuar gabimet që i kanë bërë në eliminatoret e kaluara.
“E quaj një grup të përshtatshëm për ne, kur them të përshtatshëm në kuptimin e fjalës se kemi mundësi dhe kapacitet me kalu grupin, por ajo që është me rëndësi pavarësisht kundërshtarëve, ne duhet të fokusohemi te vetvetja, sepse ne kemi problem edhe në Ligën e Kombeve edhe në eliminatoret e mëhershme”, potencon Sejdiu.
Gani Sejdiu thotë se Kosova deri tani nuk ka mundur ta tregoj forcën reale, e për ta treguar këtë forcë i duhet që të luëjë me një mentalitet dhe përgjegjësi ndryshe në eliminatoret për “Euro 2024.
“Realisht ne nuk kemi mundur ta tregojmë forcën tonë reale, sepse problem qëndron tek ne. Ne duhet me punu me vetveten tonë, me u përgatit mirë pa i shiku kundërshtarët, nëse ne arrijmë që t’i eliminojmë ato probleme dhe gabimet që nau kanë shfaq në këto eliminatore më herët edhe vërtet ta përgatitim kombëtaren në mënyrën më të mirë duke i projektu mirë këto eliminatore, saktë, mirë me një mentalitet krejtësisht ndryshe, me një përgjegjësi krejt ndryshe”, shprehet ai i bindur.
Njëjtë sikurse Sejdiu edhe analisti i futbollit, Arbnor Morina thotë se Zvicra është favorite në këtë grup, mirëpo ai kërkon kujdes ndaj Izraelit e Rumanisë.
“Grupin në të cilin gjendet Kosova është një grup mjaft interesant ku e kemi një Zvicër favorite, mirëpo nuk bën me e nënçmu as Izraelin e Romaninë. Izraeli është një ekip që s’ka emra të mdhaj brenda, mirëpo luan mjaft kompakt dhe mjaftë shpejtë, romunët në një fazë të ripërtrimit dhe e kanë një shkollë të posaçshme të futbollit ku mbretëron ana fizike mjaftë shumë”, thotë Morina për Gazetën Enigma.
Morina thotë se Kosova garën kryesore do ta ketë me Izraelin dhe Rumaninë, sipas tij për të marrë rezultat pozitiv i duhet të djersitën shumë futbollistëve të Kosovës.
“Gara kryesore ka me qenë me Rumaninë, Izraelin nëse e largojmë Zvicrën si favorite, mirëpo kurrë në futboll nuk ka favorit absolut, kështu që duhet me u përgatit mjaftë mirë me u djersit shumë edhe me e lyp rezultatin pozitiv”, shprehet Arbnor Morina.
Për të bërë paraqitje të mirë Kosova në kualifikimet për “Euro 2024” që fillojnë në fundin e marsit, Morina thotë se lojtarët që grumbullohen duhet me qenë në formë.
“Kualifikimet fillojnë në muajin mars, deri në mars lojtarët tonë duhet me qenë sa më të përgatitur dhe me lujt në vazhdimësi, sepse nëse luan vazhdimisht të vjen deri te forma e mirë. Fatmirësisht kemi lojtarë që po luajnë në klube të mira evropiane, kemi lojtarë që janë kthy në formë, po tasht qat formë duhet me kultivu kur vjen koha e grumbullimit me qenë të përgatitun mirë fizikisht edhe taktikisht edhe mbi të gjitha mos me qenë të lënduar, na nevojitet konkurrencë, ka me u shtu konkurenca sepse çdo ditë po kemi djem të cilët po deklarohen me lujt për Kosovën”, thotë ai.
Trajneri i Zvicrës, Alain Giresse deklaroi pas tërheqjesë së shortit se këtë grup do ta shohin si mundësi kualifkimi.
“Tani kemi verdiktin e shortit dhe e kemi këtë grup dhe duhet të shohim si mund të kualifikohemi. Mund të ishte një grup më i vështirë, por nuk do të thotë se jemi të magjepsur. Sidoqoftë, mendoj se mund t’i japim vetes ambicien për të arritur një paraqitje të bukur në këtë grup. Sigurisht, do të kemi një ndeshje speciale e ajo është ndeshja kundër Zvicrës, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mes dy popujve janë të veçanta. Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, ka theksuar Giresse për faqen zyrtare të FFK-së, pas tërheqjes së shortit në Frankfurt./GAZETA ENIGMA/
Orari i ndeshjeve kualifikuese të Kosovës për EURO 2024
Izrael vs Kosovë – 25 mars
Kosovë vs Andorrë – 28 mars
Kosovë vs Rumani – 16 qershor
Bjellorusi vs Kosovë – 19 qershor
Kosovë vs Zvicër – 09 shtator
Rumani vs Kosovë – 12 shtator
Andorrë vs Kosovë – 12 tetor
Kosovë vs Izrael – 15 tetor
Zvicër vs Kosovë – 18 nëntor
Kosovë vs Bjellorusi – 21 nëntor