Zyrtarët e Listës Serbe, të cilët më 5 nëntor dhanë dorëheqjen nga institucionet e Kosovës, nuk do të mbeten pa paga.
Sipas Radio Evropa e Lirë, pavarësisht dorëheqjes këta zyrtarë do të vijojnë të paguhen nga institucionet e Serbisë.
Madje, pagat që marrin nga Serbia ata i kanë deklaruar dhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës për vitin 2022.
Më herët, presidenti Aleksandër Vuçiç u shpreh se populli serb në Kosovë nuk do të mbetet asnjëherë pa mbështetje.
“Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë. Ne vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, dhe në të njëjtën kohë luftojmë për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, të na bëjë më të fortë dhe më të mirë”, shkroi Vuçiç.