Të organizuar nga Lista Serbe, serbët kanë protestuar sot në Veri të Mitrovicës dhe në Graçanicë, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.
Nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha në Graçanicë se mesazhi kryesor i protestës ishte “të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve”.
Protestuesit mbanin parulla “Me paqe kundër dhunës së Kurtit” “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”.
Gjatë protestës së serbëve në Mitrovicë të Veriut nuk ka pasur fjalime. Por, pas protestës, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka njoftuar për mediet se e pezullojnë punën në institucionet e Kosovës.
Rakiq, i cili është ministër në Qeverinë Kurti, tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.