Përderisa e gjithë vëmendja e publikut aktualisht është e përqendruar te marrëveshja evropiane dhe pranimi i mundshëm i Kosovës në Kombet e Bashkuara, praktikisht diplomatët evropianë thonë se “njohja reciproke” nënkuptohet kur Serbia të jetë pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Edhe nëse tani Serbia e shmangë pranimin e Kosovës në OKB, që interpretohet si njohje joformale e Kosovës, pas disa vitesh pritet që ajo ta bëjë këtë zyrtarisht.
Fjalia që përshkon pothuajse në mënyrë të padukshme tekstin e dokumentit, i cili buron nga zyrat e diplomatëve evropianë që punojnë në zbatimin e Marrëveshjes Evropiane, është se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës do të ndodhë me hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian, shkruan portali serb Nova.
Në pjesën ku krahasohet propozimi evropian për Kosovën me modelin e dy Gjermanive, thuhet se “Republika Federale e Gjermanisë nuk e ka njohur kurrë Republikën Demokratike Gjermane dhe anasjelltas. Megjithatë, Traktati Themelor i vitit 1972 bëri të mundur që dy Gjermanitë të pranonin realitetin e ekzistencës së tjetrës. Kjo gjithashtu iu mundësoi vendeve perëndimore të zhvillojnë marrëdhënie me RDGJ”.
“Nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me vendosmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, së shpejti do të ndodhë normalizimi i plotë përmes njohjes reciproke. Tani për tani, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe marrëdhënieve paqësore, pavarësisht dallimeve, është e vetmja gjë që bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Serbia dhe Kosova”.