“Serbia i sheh si shtete të përkohshme Kosovën, Malin e Zi e Bosnjën”

“Serbia i sheh si shtete të përkohshme Kosovën, Malin e Zi e Bosnjën”

Gazetarja e televizionit turk TRT, Nafisa Latic ka bërë të ditur se ka zhvilluar një intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e cila do të transmetohet gjatë pasdites së nesërme.

Megjithatë, gazetarja ka shpalosur disa prej deklaratave të Kurtit, i cili, sipas saj, ka deklaruar se nuk do ta lejojë kurrë formimin e një modeli si Republika Srpska në Kosovë.

“Në një intervistë ekskluzive për Across The Balkans, kryeministri i Kosovës ka thënë se do të vazhdojë të jetë pjesë e takimeve të nivelit të lartë për propozimin e BE-së dhe SHBA-së, por nuk do ta lejojë kurrë formimin e një tjetër Republika Srpska”, ka shkruar gazetarja Latic.

Ajo ka thënë se gjatë intervistës, Kurti para saj ka deklaruar se Serbia i sheh ende Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi si shtete të përkohshme.

Kryeministri Albin Kurti është pritur sot në një takim nga presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, me të cilin kanë diskutuar mbi situatën aktuale në Ballkan dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Erdogan ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur vullnetin për të ndihmuar, nëse kjo gjë kërkohet nga palët.

Related Articles