Ministria e Arsimit në Serbi nuk ka aprovuar tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Luginë të Preshevës, as në gjuhën shqipe e as në atë serbe.
Gazeta Enigma ka zhvilluar një intervistë me politikanin dhe aktivistin nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, i cili njëherësh është edhe këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi.
Mustafi tha se tri shkollat e mesme në Luginë kanë mbetur pa tekste, ndërkohë që për momentin, nxënësit mësojnë përmes diktimit, interpretimeve që bëhen apo përmes librave alternativë që mund të gjenden online.
Mustafi, për “Enigmën” kërkoi nga Qeveria e Serbisë që nxënësit shqiptarë të trajtohen në mënyrë të barabartë me nxënësit serbë, si dhe përveç teksteve shkollore të rregullta, të lejojë edhe librat alternativë nga Kosova dhe Shqipëria.
INTERVISTA E PLOTË:
Gazeta Enigma: Si qëndron situata me tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë në shkollat fillore dhe të mësme në Luginë?
Mustafi: Për shkollat fillore, janë aprovuar që nga viti 2021. Librat pothuajse janë të aprovuara në gjuhën shqipe, përveç Historisë dhe Gjeografisë, tekstet tjera kanë qenë të aprovuara, ndërsa për shkollat e mesme, me programet e reformuara të Serbisë, nuk ka të aprovuar as edhe një tekst në gjuhën shqipe.
Qeveria e Republikës së Kosovës i financon dhe i mbështet nxënësit shqiptarë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, për tekstet shkollore të cilat janë të aprovuara, me ç’rast në shkollat fillore ndjekin 3,650 nxënës këtë vit, për të cilët kanë siguruar fondin, që secili prej tyre të marrë tekstet shkollore në gjuhën shqipe, të aprovuara falas. Ky është viti i katërt me radhë.
Gazeta Enigma: Si po ia dalin për momentin nxënësit e shkollave të mesme, pa tekste shkollore?
Mustafi: Ata nuk kanë asnjë tekst mësimor. Mësojnë përmes diktimit, interpretimeve që bëhen, përmes librave alternativë që mund të gjenden online e këshu me radhë. Ministria e Arsimit e Serbisë nuk ka lejuar që të aprovohen tekstet shkollore, me të cilat do të mësonin nxënësit në shkollat e mesme, ku dy shkolla të tilla janë në Preshevë dhe një në Bujanoc.
Gazeta Enigma: Sa është numri i nxënësve në shkollat fillore?
Mustafi: Atëherë (2022) kanë qenë 4,010 nxënës, tani janë 3,650 nxënës. Këtu shihet një lloj rënie e nxënësve për shkollat fillore, përderisa për shkollat e mesme.
Gazeta Enigma: Si nisi furnizimi i nxënësve shqiptarë, me tekste shkollore në gjuhën shqipe?
Mustafi: Që nga 2018, filluam një proces mes Këshillit Kombëtar, Ministrisë së Arsimit, me mbështetje të Kosovës dhe Shqipërisë, është arritur që Serbia të aprovojë tekstet mësimore për I deri në VIII, në gjuhën shqipe (përveç Historisë dhe Gjeografisë). Librat vijnë nga shtëpitë botuese në Shqipëri.
Në Serbi është e licencuar vetëm një shtëpi botuese në gjuhën shqipe (Albasi).
Gazeta Enigma: Cilat janë kërkesat e juaja ndaj shtetit të Serbisë, sa i përket kësaj situate?
Mustafi: Kërkesat janë të shumta: E para që nxënësit shqiptarë të trajtohen në mënyrë të barabartë me nxënësit serbë; E dyta që Ministria e Arsimit në Serbi të respektojë ligjet e veta; E treta të respektojë konventat ndërkombëtare të cilat i ka nënshkruar Serbia; E katërta ta liberalizojë arsimin dhe të respektojë marrëveshjet në kuadër të Berlinit; Gjithashtu, ajo që është e rëndësishme të njohë diplomat që vijnë nga Republika e Kosovës; Të lejojë edhe librat alternativë nga Kosova dhe Shqipëria, përveç teksteve shkollore; T’i kryejë të gjitha obligimet që janë të parapara me planin shtatë pikësh, të aprovuar nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe më pas nga Qeveria e Serbisë, por që së zbatuari nuk ka filluar ende.
Gazeta Enigma: Si financohen librat që t’u jepen falas nxënësve? A kontribuuojnë Kosova dhe Shqipëria?
Mustafi: Shqipëria nuk furnizon asgjë. Librat botohen në Shqipëri, por financohen vetëm nga Kosova. Qeveria e Kosovës ndan fond të posaçëm me linjën buxhetore për shqiptarët në Luginë dhe Sanxhak, me të cilin mbështet çdo nxënës shqiptarë, të pajiset me tekstet mësimore falas. Uroj që edhe Shqipëria të ndjekë shembullin e Kosovës, të ndajë nga buxheti për Luginën e Preshevës, dhe njëkohësisht, ta ndjekë shembullin e krijimit të mekanizmave institucionalë, për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Shqipëria deri më tani ka pasur disa programe të vogla, por ende po refuzon që të qaset me një plan strategjik, ku do përfshihej ngritja e konsullatës në Luginën e Preshevës dhe më pas të ndajë një pjesë nga buxheti vjetor, për Luginën. /GAZETA ENIGMA