Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, ka publikuar një dokument sipas të cilit Qeveria e Serbisë propagandon për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
Vela në një postim në Twitter ka shkruar se kjo është dëshmi e përpjekës së Serbisë për të ndërhyrë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
“Kjo është një dëshmi prima facie e përpjekjes së Serbisë për të ndërhyrë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës. Një ndërhyrje e tillë e huaj në zgjedhje synon të prishë të gjithë procesin zgjedhor dhe të frikësojë serbët vendas që të mos ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, ka shkruar Vela.
Dokumenti i publikuar nga Vela, paraqet se serbët e Kosovës po rrezikohen dhe iu nevojitet mbrojtje.
Zgjedhjet në katër komunat veriore pritet të mbahen të dielën e 23 prillit 2023.