Presidenti italian Sergio Mattarella ka rënë dakord të shërbejë një mandat të dytë pasi partitë e koalicionit nuk arritën të bien dakord për një kandidat tjetër për postin.
80-vjeçari doli si zgjedhja më e përkrahur pas gjashtë ditësh votime shpesh të tensionuara në Romë.
Ai kishte shprehur dëshirën për të lënë detyrën, por mediat lokale raportuan se kryeministri Mario Draghi e kishte bindur të qëndronte për “stabilitetin” e Italisë.
Ai u rizgjodh zyrtarisht të shtunën, pas raundit të tetë të votimit.
Duke folur pas votimit të së shtunës në mbrëmje, Mattarella tha se kishte një “ndjenjë përgjegjësie” për të qëndruar në detyrë në dritën e sfidave shëndetësore dhe ekonomike me të cilat përballet vendi.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese shtoi se “detyra ndaj kombit duhet të mbizotërojë mbi zgjedhjet e mia personale”.
Draghi përshëndeti rizgjedhjen e Mattarellas, duke e quajtur atë “lajm të shkëlqyer për italianët”.
Partitë në koalicionin qeverisës të Italisë ranë dakord të rizgjedhin Mattarellan pasi shtatë raunde votimi nuk arritën të prodhonin një kandidat alternativ dhe zbuluan ndarje të thella në kabinet, shkruan BBC.
Presidenca e Italisë zgjidhet me votim të fshehtë në një kolegj elektoral prej 1 mijë e 9 senatorësh, deputetësh dhe disa delegatësh rajonalë.
Është e paqartë nëse 80-vjeçari synon të shërbejë një mandat të plotë shtatëvjeçar, me disa në Itali që sugjerojnë se ai mund të tërhiqej për të lejuar z. Draghi të zërë vendin e tij pas zgjedhjeve në vitin 2023./Gazeta Enigma/