Serwer: Ka kaluar shumë kohë që BE-ja është dashtë t’i largojë masat ndaj Kosovës

Serwer: Ka kaluar shumë kohë që BE-ja është dashtë t’i largojë masat ndaj Kosovës

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer ka folur rreth çështjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Serwer në një përgjigje për GazetaBlic shprehet se, ka kaluar shumë kohë që Bashkimi Evropian është dashtë të marrë vendim për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

“Ka kaluar shumë kohë që BE-ja është dashtë t’i largojë masat ndaj Kosovës”, tha Serwer.

Kujtojmë se, masat kufizuese ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se në raportin e shefit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së, “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese për Kosovën.

Duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane të enjten, Bislimi theksoi se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por ka pasur disa hezitime” për dorëzimin e tij.Raportin për hapat që ka bërë Kosova për uljen e tensioneve në veri të vendit nga shefi i diplomacisë së BE-së e kishin kërkuar vendet anëtare, në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, vazhdon tash e disa javë të thotë se “raporti është në fazën finale” dhe se do t’u dorëzohet vendeve anëtare “së shpejti”.

Zyrtarisht nuk ka ndonjë sqarim për arsyet e vonesave të dorëzimit të raportit të përfaqësuesit të lartë, Borrell.

Related Articles