“S’është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës”

“S’është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

MPJD-ja, nëpërmjet një kumtese bën të ditur se nga 12 maji i vitit të kaluar janë bërë përparime në procesi dhe s’ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësim.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit. Në muajin shtator të vitit 2022, nga vet Sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës”.

“Nga lobimi i përbashkët me delegacionin e Parlamentit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për herë të parë në historinë tonë është siguruar e drejta e fjalës për delegacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo e drejtë është shfrytëzuar përgjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare”.

Tutje bëhet e ditur se ministria para dorëzimit të aplikimit është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtar.

“Para dorëzimit të aplikimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen të gjërë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit. Kjo situatë ka rezultuar edhe në angazhim konkret të një numri të vendeve anëtare mbështetëse për t’i kaluar pengesat përgjatë këtij procesi të anëtarësimit. Këto fakte, përveçse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë vërtetuar edhe nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës”.

Megjithatë MPJD-ja ka sqaruar edhe tri fazat e votimit për anëtarësim në KiE-së teksa Kosova është në fazën e parë.

“Është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.

“Aplikimi i Republikës së Kosovës është në fazën e parë. Më saktësisht, në këtë fazë, Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatës” thuhet në kumtesë.

Related Articles