Shaqiri i vendosur të lërë gjurmë në MLS

Shaqiri i vendosur të lërë gjurmë në MLS


Në shumë aspekte, Xherdan Shaqiri shihet si yll në MLS: një yll i futbollit evropian i transferuar te Chicago Fire për të mbajtur përgjegjësi brenda dhe jashtë fushës. Ai nuk është në ekip vetëm për të shënuar gola dhe t’i fitojë ndeshjet, por edhe për t’i mbushur tribunat e stadiumit “Soldier Field”.

Shaqiri është bërë menjëherë fytyra e re e klubit dhe natyrisht se do të jetë faktor që një numër i madh i tifozëve do të jetë në stadium për ndeshjen ndaj Orlando Cityt të shtunën, që është e para në shtëpi për Chicagon në sezonin 2022. Edhe pse u transferua për një shumë rekorde të klubit, Shaqiri ka kohë që e ka pasur synim lëvizjen në MLS. Ai e di shumë mirë se çfarë e pret dhe është i vetëdijshëm për mossukseset e Chicagos që i ka pasur për një kohë të gjatë. Kështu që Shaqiri është i gatshëm për ta përballuar këtë presion.

“Disa lojtarë kanë ardhur në MLS në moshë të shtyrë. Unë jam në moshë të mirë dhe në momentin më të mirë në karrierë. Kështu që mezi pres që të luaj, me përvojën time ta ndihmoj klubin të jetë i suksesshëm. E kam parasysh që klubi nuk ka pasur paraqitje të mira sezonet e fundit dhe synimi im është të sjell lavdi dhe të shkoj sa më larg me këtë ekip sa u përket sukseseve”, ka thënë Shaqiri 30-vjeçar.

Me transferimin e tij te klubi me fanella të kaltra synohet edhe rikthimi i ditëve të lavdishme të Chicago Fire që i kishte me lojtarët si Peter Nowak e Lubos Kubik.

Shaqiri ishte vetëm një fëmijë kur lufta në Kosovë shtyu prindërit e tij të rindërtonin jetën në një tokë të re, Zvicër.

“Natyrisht, shumë herë mendoj për këtë, prej nga vij, cili jam dhe çfarë kam arritur”, shtoi Shaqiri me krenari për prejardhjen e tij, derisa ndihet krenar që e përfaqëson Zvicrën. “Por jam një djalosh që sheh para dhe i uritur për suksese dhe për tituj. Kështu që ëndrra ime e madhe është të fitoj trofe me këtë klub dhe ky është qëllimi im. Po ashtu synoj të sjell njerëzit në stadiumin e Chicagos, pasi dihet që basketbolli, ragbi, bejsbolli, hokeji mbi akull janë mbi futbollin dhe unë dua ta ndryshoj këtë. Dhe për këtë duhet suksesi”.

Prej vitit 2013, Chicago Fire vetëm një herë është kualifikuar në plejofin e kampionatit dhe Shaqiri u ka premtuar tifozëve që të mos shqetësohen, por të mendojnë për trofe.

“Do të jap gjithçka për tifozët dhe klubin në çdo ndeshje, në çdo aspekt”, tha ai. “Dua ta shtyj ekipin drejt trofeut dhe këtë mund ta arrijmë me përkrahjen e tifozëve, të cilët më kanë habitur me mikpritjen që nuk do ta harroj asnjëherë”.

Shaqiri iu bashkua ekipit amerikan nga Lyoni, ekip tek i cili u transferua në verë dhe luajti për vetëm gjashtë muaj.

“Doja të largohesha nga Franca dhe erdhi mundësia. Natyrisht, kam menduar për këtë disa ditë dhe për mua ishte e qartë. Ishte një shans i madh të vija këtu, në një shtet të ri, në ligë të re. MLS-ja është duke u ngritur dhe po bëhet çdo vit më e mirë”, tha ai.

Chicago luajti pa gola ndaj Inter Miamit, ndeshje në të cilën debutoi Shaqiri vikendin e shkuar. Me shumë talente dhe transferime të lojtarëve të rinj nga jashtë, Chicago Fire është bërë një nga skuadrat me moshën më të re në ekip dhe Shaqiri thotë se mezi pret që të jetë lider dhe udhërrëfyes i potencialit të madh që e sheh në grup.

“Jam gjithmonë lider edhe në Përfaqësuesen e Zvicrës. Kam ardhur këtu për ta ndihmuar ekipin me përvojën tim. Kemi ekip të ri, dua të jem model për lojtarët e rinj dhe t’i ndihmoj kur kanë nevojë për mua”, theksoi Shaqiri.

E krahas paraqitjeve të mira te Chicago Fire, Shaqiri shpreson të luajë mirë edhe në Botërorin që do të mbahet në fund të këtij viti në Katar. Ai për kalimin e tij te Chicago ka folur edhe me përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin dhe të dy besojnë se kalendari i ligës përshtatet mirë me Kampionatin Botëror.

“Mendoj se është e përkryer për mua, sepse do të luajmë në dimër për herë të parë. Do ta përfundoj këtu, shpresoj në nëntor kur luhet Kupa MLS, kështu që, unë do të mund të shkoj te përfaqësuesja dhe të kem paraqitje të mira”, tha Shaqiri, që ka shënuar 26 gola në 100 paraqitje me Zvicrën..

Ai e di se muajt e ardhshëm në MLS do të jenë test, marrë parasysh aspektin fizik, skuadrat e barabarta, udhëtimet e gjata dhe kushtet e ndryshueshme atmosferike.

“Dua të luaj në çfarëdo kohe, çfarëdo fushe, pasi kjo nuk ka rëndësi për mua. Dua t’i fitoj ndeshjet. Duhet të luajmë fort dhe duhet të japim gjithçka, pasi synimet e mia janë të mëdha me këtë klub”, përfundoi Shaqiri.

Related Articles