Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar me programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe, por theksoi se përparimi në dialogun me Serbinë i ndërmjetësuar nga BE-ja është i domosdoshëm.
Smith tha se SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s vlerësojnë interesin e Kosovës për këtë program, i cili synon ndërtimin e besimit mes vendeve të NATO-s dhe shteteve të tjera evropiane, duke shërbyer si hap drejt anëtarësimit të mundshëm në NATO.
“Kemi qenë të qartë se Kosova duhet të vazhdojë të investojë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja,” theksoi Smith në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.
Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, por zbatimi i saj ka ngecur. Kosova, përveç anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, e ka shpallur NATO-n si qëllim strategjik.
Anëtarësimi në këtë program kërkon miratimin unanim të 32 vendeve të NATO-s, nga të cilat 28 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin.
Nga Ballkani Perëndimor, vetëm Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa pjesa tjetër e rajonit tashmë është anëtarësuar në NATO. Aktualisht, NATO mbetet e pranishme në Kosovë përmes misionit të saj, KFOR. /REL