Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në një intervistë për RTKLive, në përvjetorin e 27-të të fillimit të sulmeve ajrore të NATO-së ndaj ish-Jugosllavisë (Serbisë), tha se kishte qenë i bindur se përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm për të shpëtuar jetët e kosovarëve dhe se drejtësia ishte në anën e tyre.
Sipas ish-zyrtarit të NATO-s, vendimi nuk ishte i vështirë, sepse qëndrimi kokëfortë i Millosheviçit dhe veprimet serbe, si masakra në Reçak, i bindën të gjithë aleatët se NATO duhej të ndërhynte për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë.
Shea vlerësoi se, edhe pse njëzet e shtatë vjet më vonë Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, kjo është për të ardhur keq. “Sepse përballja me anën më të errët të historisë së vet dhe kërkimi i faljes për gabimet e së kaluarës është shenjë e një demokracie të pjekur. Dhe është thelbësore nëse vendet duan të ecin përpara dhe të kenë marrëdhënie normale me fqinjët e tyre”, tha ai.
Ai tha se është përgjegjësi morale e qeverisë së Serbisë të pranojë krimet e kryera në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë dhe të emërojë një komision të pavarur të historianëve ndërkombëtarë dhe serbë për të hetuar dhe për të nxjerrë në dritë të gjitha faktet.
Shea ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë. “Serbia ka përdorur taktika kundër Kosovës për të provuar ta dobësojë atë. Incidenti i Banjskës në shtator 2023 është një shembull i mirë. Prandaj, detyra kryesore e NATO-s sot është të ndihmojë Kosovën me inteligjencë më të mirë mbi këto forma të luftës hibride dhe të zhvillojë qëndrueshmërinë e saj të brendshme për t’u mbrojtur ndaj tyre”, tha ai.
Serbia vazhdon të përdorë retorikë agresive ndaj vendeve fqinje, përfshirë Kosovën dhe Kroacinë. Shea këtë e lidh me mungesën e vizionit politik dhe burrështetësisë nga ana e udhëheqësve të Serbisë që nga rënia e regjimit të Millosheviçit.
Ai ka folur edhe për Kosova që të jetë pjesë e NATO-së. “Kosova ndan vlerat e NATO-s dhe ka treguar se dëshiron të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme të NATO-s dhe jo vetëm të përfitojë nga siguria që NATO mund t’i ofrojë Kosovës, për shembull përmes KFOR-it”, tha ai.
