Emrat e tyre zor se mund të jenë përmendur ndonjëherë më shpesh, nga kushdo, se në dy javët e fundit.
Nga dita kur i kidnapoi Serbia, për Rifat Zekën, Beqir Sefën e Shemë Mustafën, flitej e shkruhej nga institucione e media, jo veç vendore.
Ky i fundit, për dallim prej kolegëve të tij policë, mund të jetë befasuar kur ka lexuar e dëgjuar lajmet për të.
Emrit e mbiemrit të Shemë Mustafës, shpesh iu ndërruan vendet. Kjo u bë hiç më larg se ditën kur ai u lirua.
Në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të 26 qershorit, ky dikaster atij i referohet si Mustafë Shema.
Kështu emri i tij në këtë formë gjeti vend nëpër gati krejt lajmet e kësaj dite.
Nga qeveria i thanë Klanit se ky ishte një lëshim në njoftimin e MPB-së.
Kjo mbase mund të jetë diskutuar në muhabetin e Bajramit, që polici pati me kryeministrin Albin Kurti, në njoftimin e të cilit emri i policit u shkrua saktë.
Pështjellimi në këtë çështje nisi ditën e kidnapimit. Deri në informacionet zyrtare, ai shpesh u përmend si Mustafë Shemi.
Me gjasë, sebep i kësaj është raportimi i asaj dite nga mediumet serbe.
Disa prej tyre, gjatë kësaj kohe, bile edhe ditën e lirimit, emrin e mbiemrit të kosovarit ia ngatërruan vendet.