Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në Kosovë është shënuar rasti i parë me ethet e minjve.
IKSHPK-ja ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos përdorin fruta mali të palara sepse mund të preken nga kjo sëmundje.
“Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve, në laboratorët e mikrobiologjisë diagnostikuam rastin e parë sivjet me ethe të minjve!
Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.