Kosova përgjatë dy ditëve të fundit është tronditur nga disa ngjarje të rënda.
Bëhet fjalë për vdekjen e pesë personave, që ndodhën për hiç më pak se brenda 48-orëve.
Në Golluboc të Malishevës, dy vëllezër, Driton dhe Naim Morina, janë qëlluar për vdekje nga dhëndrri i tyre, Astrit Isufi, i cili kishte shkuar në shtëpinë e tyre me qëllim të merrte bashkëshorten dhe fëmijët e tij, të cilët ndodheshin aty për ceremoninë e varrimit të babait të saj.
Gjatë largimit nga shtëpia, siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, ka pasur një fjalosje midis Astrit Isfuit dhe viktimave, pas së cilës i pandehuri ka nxjerrë armën e zjarrit, pistoletë të tipit TT, dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tyre duke u shkaktuar plagë fatale në pjesë vitale të trupit.
Naim dhe Driton Morina janë dërguar në QKMF Kijevë, por mjekët kanë konstatuar se ata kanë arritur pa shenja jete. Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i krimit, por është arrestuar një ditë më vonë (7 nëntor) nga organet e rendit.
Një tjetër tragjedi ndodhi në Pejë, ku një fëmijë rreth 1.5-vjeçar humbi jetën pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Pejës.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, fëmija kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ishte dërguar për trajtim më 5 dhe 6 nëntor, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk mundi të mbijetojë.
Trupi i tij u dërgua në IML për obduksion me urdhër të prokurorit.
Gjithashtu, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, rreth orës 15:00 të datës 6 nëntor, dy vëllezër raportuan vdekjen e vëllait të tyre, Enver Berisha.
Viktima kishte mbërritur në QKUK pa vetëdije rreth orës 14:00 dhe familjarët nuk ishin njoftuar më parë për gjendjen shëndetësore.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen” dhe mbetet nën hetime për sqarimin e rrethanave.
Mbrëmë, në Prizren, një 80-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një veturë në rrugën “Ismail Kryeziu”.
Policia e Kosovës bëri të ditur se i dyshuari në këtë rast është një zyrtar policor nga Prizreni, i cili në momentin e aksidentit ishte jashtë detyrës zyrtare dhe lëvizte me veturë private.
