Dëme miliardëshe i ka shkaktuar Serbia, Kosovës gjatë luftës së fundit. Ekspertët shprehen të shqetësuar me mungesën institucionale në adresimin e padive deri më tani, raporton Gazeta Enigma.
Profesori i së Drejtës Penale, ish-drejtori i Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës, Ismet Salihu, në një intervistë thotë se krimet e kryera në Kosovës janë më të rëndat në Evropë.
Sipas tij, gjatë luftës janë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi dhe objekte private e mbi 100 xhami, duke shtuar se për njerëzit e vrarë përveç kërkimfaljes nuk mund të ketë ndonjë shpagim.
“Krimet që janë kryer në Kosovë gjatë luftës nga forcat policore ushtarake serbe janë krimet më të rënda që janë kryer në Evropë. Ajo çfarë është më e dhimbshme janë krimet e kryera ndaj njerëzve, ku janë rreth 13 mijë popullatë civile që janë vrarë nga forcat serbe, dhe qysh nga foshnjat gjashtë muajshe e deri tek të moshuarit. Krimet janë edhe të aspekteve tjera si morale, etike dhe sidomos dhunimet si mjet i luftës ndaj grave shqiptare”.
“Por edhe dëmet materiale që kanë kryer, ku llogariten përafërsisht se janë djegë dhe shkatërruar rreth 100 mijë shtëpi dhe objekte private të shqiptarëve të Kosovës dhe mbi 100 xhami të fesë islame. Ka disa aspekte të kompensimit të këtyre dëmeve, por njerëzit e vrarë nuk mund të kompensohen, por një lloj kompensimi është ulja e kokës së palës serbe dhe kërkimfalja ku siç e dini ata jo vetëm që nuk kërkojnë falje, por mundohen që shqiptarët t’i fajësojnë”.
Kurse Kryetari i organizatës joqeveritare “Ngritja e Zërit” Jahir Bejta thotë se përkundër punës 13 vjeçare nuk po gjejnë akoma përkrahje nga institucionet për ekonominë e shkatërruar dhe dëmet materiale që Serbia i ka shkaktuar Kosovës,.
Rreth 13 mijë martirë të masakruar dhe 130 mijë punëtorë të dëbuar nga vendet e punës, flasin për shifra miliardëshe thotë Bejta tutje.
“Po organizata jonë është duke punuar që 13 vite punë profesionale në cilësinë e avokatit dhe mjerisht deri më tani nuk jena përkrahur. Nëse i mbledhim 13 mijë martirë të masakruar atëherë flasim edhe për ekonominë e shkatërruar ku mbi 130 mijë punëtorë të dëbuar nga vendet e punës që kanë konstatuar se padrejtësisht janë larguar nga puna dhe shumë shtëpi të rrënuara që flasin për shifra miliardëshe, ku faktuarën që kam hasur nga pala serbe sa pretendon që na i kemi dëm i cili është 224 miliardë dollarë amerikanë”.
“Fatkeqësisht institucionet kanë bërë shumë pak, tash qeveria e re ka iniciuar prapë koncept dokumentin për gjendjen e institutit për krime lufte, por që duhet të shohim se deri ku ka shkuar ky proces”.
Ai përmend edhe çështjen e padive, ku mbi 100 dosje që kanë kaluar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe të gjitha u janë refuzuar, që sipas tij, janë në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Për çështjen e padive nuk kemi se çfarë të themi, sepse kemi një shprehi fatkeqësisht dhe mjerisht jo të mirë, duke u hedhur me besimin mbi procedurën kontestimore dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për liri dhe të Drejtat e Njeriut. Kemi mbi 100 dosje që kanë kaluar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe të gjitha refuzohen, por ne jemi në siklet se nga t’ia mbajmë, dhe jemi në përpjekje që të gjejmë module më të mira për të vazhduar punën dhe përcjelljen e dosjeve”, përfundoi Bejta.
Në një intervistë me shkrim ka folur edhe ish-ministrja për Dialog Edita Tahiri e cila tha se dokumenti i dorëzuar nga vet ajo vite më parë flet pikërisht qartazi për reparacionet e luftës.
Ajo e thekson si shumë të rëndësishme normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në mënyrë që të normalizohen plotësisht marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të mbyllet kapitulli i armiqësive, dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë me ndërmjetësimin dhe ndihmën e BE dhe ShBA-së, duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat tona kombëtare, Rezolutat e Kuvendit të Kosovës dhe qëllimet tona të integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik. Andaj ky dokument u shërben qeverisë aktuale”, thotë ajo.
Tutje ajo thekson se parimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e një fqinjësie së mirë midis shteteve që kanë histori të luftës dhe agresionit serb kanë një rëndësi tejet të madhe dhe që duhen argumentuar vazhdimisht.
“Parimet kryesore të dialogut të Brukselit bazohen në të drejtën ndërkombëtare dhe standardet evropiane për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë midis shteteve që kanë një histori të luftës të shkaktuar nga agresioni serb në Kosovë dhe shtypjes dhe gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës, në rrethanat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe lindja e shtatë shteteve të reja”, theksoi tutje ajo./Gazeta Enigma/