Sot është̈ shkarkuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, Sadik Fejza. Një informatë të tillë e ka konfirmuar vetë ai.
Feja ka thënë se sot është lajmëruar përmes një email’i se është shkarkuar nga pozita e drejtorit të spitalit, derisa ka shtuar se arsyeja e vetme e shkarkimit të tij është se nuk ka qenë lojal ndaj drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.
Ai ka thënë se për shkarkimin e tij nuk ka marrë paraprakisht ndonjë paralajmërim, porse nuk ka arsye tjera përveç lojalitetit.
“Po është e vërtetë. Unë veç e kam pa sot që më ka ardh një email një vendim që jam shkarkuar. Arsyeja e vetme është që nuk jam paraqit lojal, nuk ka asnjë arsye tjetër”, ka thënë ai.
Fejza ka deklaruar se nuk do të bëjë ankesë për shkarkimin e tij. Ai i ka thënë gazetës se në pozitën e tij është vendosur drejtoresha e repartit të Infektivës, Luljeta Buqinca, raporton Gazeta “Express”.