Shkarkohet Shemsi Haziri, shefi i ekipit që udhëhiqte hetimet ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit

Shkarkohet Shemsi Haziri, shefi i ekipit që udhëhiqte hetimet ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka shkarkuar nga detyra Shemsi Hazirin, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, (ish Task Forcës kundër Korrupsion) brenda Policisë së Kosovës, ekipi që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Shkarkimi i Hazirit është bërë këtë të premte, derisa nuk është dhënë asnjë arsye nga Policia e Kosovës për shkarkimin e tij.

Albanian Post ka kuptuar se shkarkimi i Hazirit lidhet pikërisht me hetimet e tij ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

AP gjithashtu merr vesh se arrestimi kishte ardhur nga niveli politik i udhëheqjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Albanian Post ka komunikuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani, por ai ka refuzuar të jap përgjigje përkundër se ka hapur telefonin.

“Nuk jam në punë me të thënë të drejtën tash”, deklaroi Kelani, duke sugjeruar “shkruaj email çfarë do që ka, edhe tani ata e përcjellin tek ai që është kujdestar për sot, nëse mund të merr ndonjë informatë nuk të kthen mbrapa”.

Insistimi nga AP për një përgjigje në një pyetje fare të thjesht, “përse është shkarkuar Shemsi Haziri?”, e ka irrituar Kelanin.

“S’jam në detyrë unë o vlla”, deklaroi.

Aktualisht ish-shefi i KEK-ut Krasniqi gjendet në paraburgim, derisa arrestimin e tij e pati kritikuar ashpër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Related Articles