15 vjetori i Pavarësisë së Kosovës i gjen në burgun e Hagës, figurat eminente të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe personin që kishte shpallur pavarësinë e vendit, kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin. Madje në mars të këtij viti pritet të nis gjykimi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Përkundër se Specialja po vazhdon hetimet, njohësit e sistemit të drejtësisë po thonë se puna e Speciales po karakterizohet me një varg shkeljesh ligjore, teksa me 1 mars do mbahet edhe protestë në Hagë për ta kundërshtuar nisjen e gjykimit.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini në një intervistë për Gazetën “Enigma”, përmend zgjatjen e paraburgimit ndaj Thaçit e të tjerëve, si shkelje kryesore që po bëhen nga Specialja.
“Karakteristikë e deritashme e punës në Gjykatën Speciale ka qenë zvarritja e panevojshme e procedurës, kjo pasi gjatë kohës kur të pandehurit janë mbajtur në paraburgim hetimet janë zhvilluar edhe pse në bazë të stadeve të procedurës penale kur të përfundon hetimi, ngritet aktakuza, e jo anasjelltas siç po ndodhë, gjë që është jashtëzakonisht e pazakontë”, theksoi Qerkini.
Tutje ai shtoi se kohëzgjatja e paraburgimit ndaj gjithë të pandehurve është në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Çka vlerësoj unë shqetësuese është se tek paraburgimi, pasi që Specialja janë duke vepruar në kundërshtim me jurispodencën e Gjykatës së Strasburgut, sepse kjo gjykatë në një sërë rastesh kur ka vendosur në bazë të nenit 5 që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes ka përcaktuar se arsyet që i shërbejnë gjykatës për caktimin e paraburgimit nuk mund të shërbejnë si arsye për vazhdimin e paraburgimit. Specialja në të gjitha rastet e ish krerëve të UÇK-së është duke vepruar në kundërshtim me këtë praktikë”, shtoi ai.
Avokati Qerkini ka numëruar edhe një shkelje që sipas tij lidhet me gjuhën që kjo gjykatë përdor në njoftime zyrtare.
“Një shkelje tjetër drastike që unë e shoh është zbatimi i parimit të gjuhës në procedurë, nëse e shihni Webfaqen e Gjykatës Speciale edhe pse ajo është gjykatë e Kosovës, të gjitha materialet, mbi 80% janë vetëm në gjuhën angleze”, tha Qerkini për “Enigmën”.
I pyetur se a ekziston ndonjë mekanizëm ligjor që do mund ta stoponte Specialen, Qerkini ka thënë se nën kornizën aktuale ligjore një gjë e tillë është e pamundur.
“Në aspektin juridik në bazë të kornizës aktuale ligjore një gjë e tillë nuk mund të bëhet, por nëse ndërron korniza ligjore është diçka tjetër”, potencoi ai.
Protestë kundër Speciales më 1 mars në Hagë
Më 1 mars në Hagë në ditën e fillimit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të protestohet nën moton: “Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë”.
Organizmi vjen nga shqiptarë të diasporës, të cilët do të kërkojnë drejtësi dhe të shfaqin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së ndërsa kanë iu kanë bërë thirrje jo vetëm shqiptarëve të diasporës, por edhe qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen në protestë paqësore.
Një leje për organizim të protestës tashmë është siguruar nga autoritetet holandeze dhe qytetarët pritet të mblidhen në rrugën “Laan van Reagan en Gorbatsjov”, Den Haag, të mërkurën e 1 marsit nga ora 10:00 deri në 12:00.
“Në asnjë mënyrë nuk e ka menduar askush që njerëzit e paqes, që luftuan për çlirimin e Kosovës sot të përfundojnë në paraburgim në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe të tjerët nuk janë vetëm emra, por janë edhe histori e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Raif Istogu, një nga organizatorët e protestës.
“Ata nuk janë vetëm themeluesit e UÇK-së, por janë edhe baballarët e shtetit të Kosovës, themeluesit e Republikës së Kosovës, kjo është arsyeja kryesore pse ne sot po mundohemi që ta organizojmë një protestë madhështore në Hagë, për t’i treguar gjithë botës dhe për ata dhënë qëndrimin tonë se ne jemi me çlirimtarët”, shtoi ai.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pritet të fillojë në mars të vitit 2023
Në seancën përgatitore e cila u mbajt në janar me praninë e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thënë se është e gatshme që gjykimi ndaj tyre të fillojë më 1 mars të këtij viti.
Gatishmërinë për fillim të gjykimit në muajin mars kanë shprehur edhe avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së.
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emerson tha se ekipi i tij është i gatshëm për fillim të gjykimit në muajin mars, megjithëse sipas tij, përpara kanë “një periudhë jashtëzakonisht intensive të punës” deri në fillimin e gjykimit.
Kryetari i trupit gjykues Charles Smith, duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me volumin e punës për këtë rast theksoi se gjykimi mund të jetë më i gjatë sesa mendohet, derisa shtoi se mund ta tejkalojë periudhën prej pesë vitesh, sa është paraparë të zgjasë procesi gjyqësor i këtij rasti.
Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, ndërsa dëshmitarët e parë do të jenë gjithsej 12, por, jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar pasi ZPS-ja vetëm në disa raste do të mbështetet në dëshmitë e dëshmitarëve.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
26 vjet burg për Salih Mustafën
Më 16 dhjetor 2022, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë shpallur fajtor Salih Mustafën për krime lufte, duke e dënuar me 26 vjet burgim.
h-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është shpallur fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash, rajon i Gollakut në Kosovë, për veprimet në një periudhë prej 1 prillit 1999 deri rreth fundit të prillit 1999.
“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, tha trupi gjykues në seancë.
Prokurori i Specializuar e akuzoi Salih Mustafën për përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në rajonin Gollak të Kosovës.
Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së, kanë pasur të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe qëllimi i përbashkët përfshinte krime të specifikuara.
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. / Gazeta Enigma.