Shkon në 19 numri i të vrarëve nga sulmet raketore të Indisë në territorin pakistanez

Shkon në 19 numri i të vrarëve nga sulmet raketore të Indisë në territorin pakistanez

India ka hedhur raketa në disa pjesë të territorit të kontrolluar nga Pakistani në orët e hershme të së mërkurës, duke i vrarë të pakën 19 njerëz. Lideri i Pakistanit i cilësoi sulmet si “akt lufte”.

India tha se e ka goditur infrastrukturën e përdorur nga militantët e lidhur me sulmin e muajit të kaluar në pjesën e kontrolluar nga India në Kashmir, ku u vranë 26 turistë hindu.

Pakistani tha se i ka rrëzuar disa avionë luftarakë indianë në shenjë hakmarrjeje, teksa dy avionë ranë në fshatrat e kontrolluara nga India në Kashmir. Të paktën shtatë civilë u vranë në këtë rajon nga sulmet pakistaneze, thanë policia dhe mjekët indianë.

Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit – vende fqinje të armatosura me armë bërthamore – janë rritur ndjeshëm që nga sulmi i muajit të kaluar, për të cilin India i ka fajësuar militantët e mbështetur nga Pakistani. Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i dënoi sulmet ajrore të së mërkurës dhe tha se vendi i tij do të hakmerret.

“Pakistani ka çdo të drejtë të përgjigjet fuqishëm ndaj këtij akti lufte të imponuar nga India, dhe vërtet jemi duke u përgjigjur fort”, tha Sharif.

Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Pakistanit do të mblidhet të mërkurën në mëngjes.

Sulmi ndezi alarmin në Uashington, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është njoftuar për sulmin dhe shpreson që përleshjet “të përfundojnë shumë shpejt”.

Related Articles