Ka shkuar në shtatë numri i deputetëve të Vetëvendosjes, që kanë dalë kundër vendimit të Qeverisë Kurti për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë.
Pas dy deputetëve të Listës Guxo, Jeta Statovci e Haxhi Avdyli që dolën të hënën kundër vendimit të Qeverisë, sot edhe katër deputetë të VV-së e kundërshtuan këtë vendim.
Deputeti Fatmir Humolli ka theksuar për Gazeta Blic që ai është kundër këtij vendimi.
Madje, ai ka shtuar se Kurti po do destabilizimin e vendit.
“Ka dyshime që Qeveria dëshiron ta vazhdojnë grevën punëtorët e arsimit, kurrgjë tjetër. Në mënyrë tërthorazi po i thërret punëtorët e arsimit që të ta vazhdojnë, sepse ka nevojë për destabilizim të vendit kaq”, ka analizuar Humolli.
Ndalja e pagave për punëtorët grevistë të arsimit, sipas tij është vendim mjaft i gabuar.
“Kjo qeveri po vepron sikur të ishte në mars e jo në Kosovë”, ka thënë ai ndër të tjera. Sipas tij, deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë një ‘mision’ para vetës për Qeverinë dhe në rast se nuk iu ’dhezë’ atëherë ka kërkuar rrëzimin e kësaj qeverie.
“Për fat të keq kjo Qeveri po vepron sikur të ishte në mars e jo në Kosovë, nuk po e kupton realitetin qeverisës. Jemi duke bërë përpjekje që deputetët e Kuvendit të Kosovës, ne të Vetëvendosjes ta këndellim këtë Qeveri, në qoftë se nuk mund ta këndellimin kjo qeveri duhet të bie sa më shpejt, sepse po e dëmton vendin për teke individuale të individëve të caktuar ose grupeve të caktuara..”, ka thënë ai.
Pas tij, edhe deputeti Eman Rrahmani ka kërkuar të dalin pagat për grevistët.
“Pagat duhet të procedohen për të gjithë mësimdhënësit, orët e humbura duhet të kompensohen deri në përfundim të vitit shkollor”, ka shkruar ai.
Edhe deputeti tjetër i VV-së, Alban Bajrami ka kërkuar që Qeveria të bëjë ekzekutimin e pagave si dhe të gjej alternativë për kompenzimin e orëve të humbura gjatë mbajtjes së grevës.
Sipas tij, Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të koordinohen me SBASHK-un që të gjejnë konsensus të përbashkët në mënyrë që të bëhet zgjidhja më e mirë për nxënësit.
“Qeveria të merret vesh me SBASHK-un edhe me bashkëpunu me ministrinë e Arsimit për zëvendësimin e orëve, duhet të ketë koordnim për orët e humbura sepse janë orë të quara dëmë, duhet të kompenzohen përmes ditëve të festave ose të gjindet ndonjë mundësi tjetër. Duhet të gjejnë një konsensus Qeveria me SBASHK-un dhe me Ministrinë e Arsimit. Pagat duhet të ekzekutohen”, tha deputeti Bajrami për Gazetën10.
Kundër partisë së tij, përpos disave që tashmë janë deklaruar, sa u përket pagave ka dalë edhe deputeti Visar Korenica.
“Korenica, është pro pagesës së pagave dhe kompensimit të orëve të humbura”, ka thënë Korenica, për Front Online.
“Nëse Qeveria nuk merr vendim me iu pagu, përballet me veprime të sindikatave çfarë do qofshin ato”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Sindikata e Arsimit e ka pezulluar grevën, duke e nisur më 3 tetor procesin mësimor.