Të mërkurën, Gjykata Themelore e Prishtinës, Dega në Podujevë, ka bërë publik vendimin me të cilin e ka shpallur fajtor Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, për sulmin ndaj një qytetari në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, raporton Gazeta “Enigma”.
Bulliqi nga Gjykata është dënuar me 500 euro.
“Me datë 09.02.2021, rreth orës 09:00, në rrugën “… Q.” në Podujevë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, i pandehuri pas një mosmarrëveshje gojore me R. Z., tani i dëmtuar, me dashje i shkakton lëndim trupor në atë mënyrë që e godet të dëmtuarin me grusht në fytyrë në pjesën e majtë afër gojës, me ç’ rast të dëmtuarit sipas ekspertizës mjeko-ligjore i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin”, thuhet në aktgjykim.
Në aktgjykim thuhet se nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguajë gjobën brenda 15 ditësh, dënimi me gjobe do t’i zëvendësohet me burgim.
“Të akuzuarin Sh. B. me dënim me gjobë në shumë prej pesëqindë (500) Euro, të cilin dënim, I akuzuari është i detyruar të paguajnë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj gjobën brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë, atëherë gjykata do ti zëvendësoj dënimin me gjobë me dënim me burgim, duke ia llogaritur 1 (një) ditë burgim, me njëzet (20) Euro të gjobës”, thuhet në aktghykim.
“Detyrohet i akuzuari që të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 20 euro për ekspertizën mjeko-ligjore, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20.00 €, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të paguaj shumën prej 30 €uro, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet tutje në aktgjykim.
Ndryshe, Bulliqi në një reagim kishte thënë se puna e sulmit fizik është një trillim dhe i pavërtetë. / Gazeta Enigma.