Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen e njohur si të Universitetit në Prishtinë, ku gjashtë vetura janë dëmtuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci tha se bëhet fjalë për shpërthimin e një granate dore.
“Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, theksoi ai.
Cak i sulmit me granatë dore dyshohet se ka qenë reperi Agron Abdullahu, i njohur me emrin e artit ‘Noga’.
Borovci shtoi tutje se përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.
“Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, u shpreh ai.