Shqetësuese, shumë policë kanë aplikuar për viza pune, kërkohen kushte më të mira për policinë

Shqetësuese, shumë policë kanë aplikuar për viza pune, kërkohen kushte më të mira për policinë

Policia e Kosovës është duke u përballur me vështirësi që nga paslufta, pasi nuk Qeveritë e kaluara e kjo aktuale nuk po ia plotësojnë kushtet e elementare ku janë përballur me mungesë të uniformës, këpucëve, mospagesa e shujtave, sigurimi shëndetësor dhe jetësor.

Këto janë disa nga brengat që i kanë policët e Kosovës që deri më tani prej themelimit të policisë e kanë lëshuar punën 1108 prej tyre për shkaqe të ndryshme.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri në një prononcim për Gazetën Enigma, shprehet i shqetësuar për gjendjen e policëve, pasi sipas tij shumë zyrtarë policor kanë aplikuar për viza, por numri i tyre i saktë nuk dihet.

“Kemi informacione të pakonfirmuara se shumë zyrtarë policor kanë aplikuar për viza, disa për viza pune e disa për viza turistike dhe pasiqë kjo nuk bëhet publike as nga individët dhe as nga ambasadat, nuk mund ta dimë sa është numri i tyre”, thotë kryetari i sindikatës Zeqiri.

Zeqiri alarmon se nëse nuk përmirsohen kushte më të mira për policinë e Kosovës do të rriten rastet kur policët do të japin dorëheqje.

“Prej formimit të Policisë së Kosovës, dorëheqje vullnetare kanë dhënë 1108 pjesëtar të Policisë, nuk kemi ndonjë statistikë të saktë për kohët e fundit por vërehet se është në rritje dhe nëse nuk realizohen disa kërkesa apo nuk krijohen kushte më të mira do të kemi vazhdimisht dorëheqje”, tha ai për Gazetën Enigma.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe tani Deputet i Kuvendit të Kosovës, Rashit Qalaj e konfirmon atë që e tha më lartë, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Është e vërtetë ajo që ka thënë udhëheqësi i Sindikatës së Policisë së Kosovës, përshkak që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri më sot është e vërtetë që ka mbi 1 mijë persona që kanë lëshuar Policinë e Kosovës për arsye të ndryshme”, thotë Qalaj.

Deputeti nga radhët e PDK-së thotë se shqetësuese është që një numër i madh i policëve të kategorive të ndryshme kanë aplikuar për viza pune në ambasada të ndryshme.

Sipas tij ky disponim i policëve për ta lëshuar vendin e punës e për t’u larguar nga Kosova është për shkak të kushteve jo të mira të punës që po ia ofron shteti atyre.

“Mirëpo ajo që është ma shqetësuese, këtë vit, këtyre muajve sipas informatave që kam edhe unë ka një aplikim shumë të madh të policëve të kategorive të ndryshme për një vizë punë nëpër ambasadat e ndryshme në vend. Unë mendoj që kjo është si pasojë e gjendjes që po mbretëron në Policinë e Kosovës si nga aspekti i mirëqenies së tyre, pajisjeve të tyre, pagave të ulëta, pastaj çështje e mbrojtjes institucionale, mos të harrojmë që Policia e Kosovës nuk ka sigurim shëndetësor dhe jetësor”, thotë ai për Gazetën Enigma.

Çështja e mospasjes të një mundësie që të pensionohen dhe të kenë një pension të dinjitetshëm dhe po ashtu gjendja e interferimit politik e cila ka bërë që Policia e Kosovës të ketë ndërhyrje shumë të vrazhda nga politika, nga ministri i brendshëm”, thotë Qalaj.

Qalaj insiston se policët e Kosovës duhet të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga Qeveria e Kosovës.

“Fillimisht Qeveria e Kosovës duhet ta bjerë ligjin për paga në Parlamentin e Kosovës që nëpërmjet këtij ligji për paga policët të trajtohen në mënyrë dinjitoze, pra të kenë një pagë e cila i siguron ata që mos të kenë nevojë të migrojnë nga vendi”, insiston ai.

Ai thotë se askund në botë nuk ku policët nuk i kanë të rregulluara çëshjen e sigurimit shëndetësor dhe jetësor, përpos në Kosovë.

“Mos të harrojmë që puna e policëve është shumë e vështirë, orari i tyre është shumë i gjatë, sfidat janë të mëdha, rreziqet janë të mëdha, përveç ligjit të pagave, gjithsesi sa më shpejtë të jetë e mundur Policia e Kosovës duhet ta ketë sigurimin jetësor dhe atë shëndetësor. Nuk ka askund në botë, nuk ka asnjë shtet normal që policia nuk e ka të rregulluar çështjen e sigurimit shëndetësor dhe jetësor”, shprehet Rashit Qalaj.

“Po ashtu duhen të sigurohen shujtat për policët e Kosovës, duhet të paguhet ndërrimi i natës dhe po ashtu duhet që partitë politikë, partitë në pushtet dhe kushdo që vjen në pushtet në qeverinë e ardhshme të qëndrojnë sa më largë institucionit të Policisë së Kosovës”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se çështja e migrimit është trend te pjesa e të punësuarve në sektorin publik.

“Çështja e migrimit në vendet e Evropës nga popullsia e Kosovës është një problem i cili kryesisht bazë ka faktorin ekonomik. Kjo dukuri përpos te pjesa e popullsisë së pa punë, është bërë trend edhe te pjesa e popullsisë e cila është e punësuar në sektorin publik, ku më e theksuar është te shëndetësia, kurse tani ka filluar të përhapët edhe te policia, ushtria, arsimi”, thotë Fadil Kajtazi për Gazetën Enigma.

Kajtazi thotë se paga që merr një polic nuk i siguron një familje përmbylljet e muajit dhe nuk i siguron jetë me dinjitet nga puna e tij.

“Paga që merr një i punësuar në sektorin publik (shërbyes civil, polic, mësues…) nuk i siguron një familje përmbylljen e muajit, nuk i siguron jetë me dinjitet nga puna e vet. Rritja e çmimeve të konsumit të përditshëm, energjisë elektrike, derivateve ka varfëruar buxhetin e familjeve kosovare. Mundësie e jetesës në kushte normale është e kufizuar, sidomos për familjet që kanë fëmijë për shkollim. Mos të flasim për ata që kanë probleme shëndetësore, ku spitalet publike janë shndërruar në zyre kontraktuese të spitaleve private”, thotë Kajtazi.

Ai thotë se të policët ka shumë faktorë që ndikojnë të mendojnë për migrim jashtë vendit përpos pagës.

“Kur flasim për policinë, kjo është edhe më e theksuar; përpos pagës, policia nuk ka benificione për rreziqet në punë, për sigurimin shëndetësor, gjë që përpos se reflekton në rezultatet e dobëta të tyre në punë, krijon edhe një hapësirë për korrupsion të zyrtarëve policor, e që u pa nga rastet e arrestimeve të fundit”, thotë ai.

“Për ta përmbyllur, qëllimi i lëshimi të vendeve të punës në polici është sigurimi i jetës me dinjitet, ku pavarësisht se çfarë pune punon në shtetet e BE, mund të jetosh nga puna e jote, ke sigurime shëndetësore dhe të punës”, thotë ai.

Për ta evituar këtë fluks, shteti duhet të ndërmarr hapa që të zhvilloj ekonominë e cila do t’i siguroi shtetasve tanë punësim dhe jetesë nga puna dhe mundi i tyre.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles