Shqipëria arrin të imunizoj 10.5% e popullsisë

Me ardhjen e mbi 40 mijë dozave të AstraZeneca-s si pjesë e programit të Covax, shkon në 900 mijë numri total i vaksinave anti-Covid në Shqipëri. Këto vaksina po përdoren për imunizimin ndaj koronavirusit të qytetarëve mbi 60 vjeç dhe të disa kategorive që klasifikohen si më të rrezikuara për shkak të profesionit.


Sipas të dhënave nga INSTAT grupmosha e personave mbi 60 vjeç në vendin tonë përbën rreth 23% të popullsisë në total, sepse janë rreth 620 mijë persona që janë mbi këtë moshe. Për imunizimin e plotë të tyre do të duhen 1,240.000 doza.

Prej fillimit të fushatës masive janë kryer mbi 785 mijë vaksinime ndaj Covid-19. Prej tyre rreth 295 qytetarë janë imunizuar plotësisht pasi kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Pra deri më tani në Shqipëri janë imunizuar rreth 10.5% e popullsisë.

Në Shqipër kanë arritur në total 899,550 vaksina anti-Covid. 560 mijë prej tyre janë vaksina kineze Sinovac, ndërsa pjesa tjetër janë AstraZeneca, Pfizer dhe Sputnik V. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë çdo javë në vend do të vijnë vaksina anti-Covid, në bazë të kontratës që qeveria ka me kompaninë Pfizer, por edhe në bazë të kontratës me Bashkimin Evropian.

Pjesë e procesit të vaksinimit veç bluzave të bardha të cilat i kanë marrë të dyja dozat e vaksinave janë përfshirë edhe disa profesione që janë më të rrezikuara, si arsimtarët, pedagogët, forcat e policisë, punonjësit e medias. Kategoritë e fundit që kanë nisur të vaksinohen janë punonjësit e sektorit të turizmit, fasonerisë dhe sektori i transportit publik.

Vetëm për të sëmurët kronikë me tre diagnoza dhe ata me sëmundje të rënda, mosha është ulur nën 60 vjeç. Ritmi i vaksinimit gjatë 24 orëve ka rënë, në krahasim me muajin Prill kur bëheshin mbi 10 mijë injektime në ditë, në javët e fundit raportohen mesatarisht 4 mijë injektime./tvklan

Related Articles