Shqipëria dhe Kosova përmbyllin negociatat për njohjen e sigurimeve shoqërore

Shqipëria dhe Kosova përmbyllin negociatat për njohjen e sigurimeve shoqërore

Shqipëria dhe Kosova kanë përmbyllur negociatat për procesin e hartimit dhe miratimit të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore.



Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë në Republikën e Shqipërisë, Besart Kadia, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, javën e kaluar zhvilluan në Prishtinë, raundin e dytë të bisedimeve për projektmarrëveshjen dypalëshe.

Leonora Ahmati ishte drejtuesja e negociatave për palën e Kosovës.

Ajo mban rolin e udhëheqjes se Divizionit për Marrëdhënien në Punë, Dialog Social, Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Në përfundimit të takimeve u dakordësua për thellimin e bashkëpunimin, si dhe për të finalizuar marrëveshjen e plotë, për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin evropian.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore.

Këtu përfshihen përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit, përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar, si dhe përfitimet për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me: Hungarinë, Çekinë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë dhe Belgjikën.

Deri tani 3 mijë e 100 shtetas shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë brenda territorit të vendit kanë përfituar nga marrëveshjet dypalëshe, të lidhura.

Këto marrëveshje dypalëshe sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë, që jetojnë në këto vende.

Related Articles