Kombëtarja e Shqipërisë ka udhëtuar në Angli, ku mbrëmjen e sotme do të ballafaqohet me “tre luanët” në stadiumin “Wembley” të Londrës.
Kuqezinjtë do të hyjnë në këtë përballje pa presion të rezultatit, pasi që misioni për një kualifikim në Kupën e Botës, tani më duket thuajse i pamundur.
Kjo, pasi që konkurrenti për vendin e dytë në grup, Polonia, vështirë të mendohet se do të dështojë në dy përballjet ndaj San Marinos, apo Hungarisë, në mënyrë që Shqipëria ta parakalojë atë në renditje.
Në anën tjetër, kuqezinjtë ballafaqohen me një prej kombëtareve më të forta në botë, ku në të gjitha ndeshjet paraprake janë mposhtur.
Mirëpo, kjo sfidë pritet të shërbejë për djelmoshat e Shqipërisë, që të mbajnë lart nivelin kundër skuadrave të mëdha dhe, pse jo, të tentojnë ndonjë befasi, pasi që zbresin në fushë pa emocionet negative, por me krenarinë kuqezi në një impiant gjigant, me rreth 90 mijë tifozë të pranishëm.
Këtë e thanë edhe në konferencën për media të mbajtur para ndeshjes, edhe trajneri Edi Reja, si dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi.
Reja do të guxojë, jo sepse Shqipërinë e mban ende matematika në lojë, por sepse sfida të tilla përballë një kundërshtari kaq të fortë, të vijnë rrallë në karrierë.
“Ne kemi konsideratë, por kemi ardhur për të bërë një figurë të mirë, për të luajtur mirë dhe për të bërë rezultat, siç kemi bërë gjatë gjithë këtij edicioni”, theksoi ndër të tjera trajneri Edi Reja.
Edhe për Cikalleshin, kjo sfidë do të jetë e veçantë, në të cilën ai thotë se do tentojnë të befasojnë.
“E dimë se do të jetë një nga ndeshjet më të vështira kohët e fundit. Por, nëse kthehemi pas në kohë, mund të përmend ndeshjet me Portugalinë dhe Francën. Të përsërisim shpirtin e garës dhe të kemi disiplinë taktike”, tha Cikalleshi.
Mirëpo, duhet theksuar se praktikisht Shqipëria e ka arritur objektivin minimal që kishte në fillim të këtyre kualifikimeve, duke u renditur para njërës prej Hungarisë apo Polonisë.
Që në fillim të grupeve në këto eliminatore, si Edi Reja, ashtu edhe FSHF kanë bërë të ditur që do të punohet për kualifikimet në Evropianin e vitit 2024, pasi që praktikisht ishte thuajse e pamundur për t’u kualifikuar nga ky grup i vështirë.
Pra, sfida Angli – Shqipëri, do të jetë një përballje që mbetet për t’u shijuar, pasi do të ndeshemi me një nga kombëtaret më të mira në botë.