Shqipëria do të përballet në datën 11 tetor me Serbinë në Leskovc, ndërkohë që 3 ditë më vonë do të luajë një ndeshje miqësore kundër Jordanisë në Tiranë.
Në prag të këtyre takimeve, Silvinjo publikoi listën me lojtarët e grumbulluar për sfidën ndërkohë që ditën e sotme, do të nisin zyrtarisht përgatitjet për këto dy sfida.
Gjatë paradites, pritet që lojtarët të mbërrijnë në hotel për të nisur grumbullimin, ndërkohë që pasdite është planifikuar seanca e parë stërvitore e skuadrës.
MBROJTJA– Duke qenë se veç Ismajlit, mungon edhe Kumbulla, alternativat që Silvinjo ka për dy ndeshjet e radhës në qendër të mbrojtjes, janë të pakta. Risia në listë, ishte Klisman Cake nga Shkëndija e Tetovës, i cili grumbullohet për herë të parë me Shqipërinë. Ditët në vijim, gjërat do të jenë më të qarta për trajnerin dhe stafin teknik, teksa priten edhe ndryshime në listë, ku veç Ismajlit që me shumë gjasa nuk do të jetë, mund të ketë edhe të tjera ndryshime nëse do të ketë dëmtime këto ditë, siç ka ndodhur edhe herën e fundit në ndeshjet ndaj Letonisë dhe Gjibraltarit.
FORMA– Pjesa tjetër e skuadrës, po kalon një moment të mirë dhe thuajse të gjithë futbollistët, kanë marrë minuta me skuadrat e tyre respektive në kampionat. Golat këtë javë, kanë qenë me pikatore nga futbollistët e grumbulluar, ndërkohë që kanë shkëlqyer ata që nuk janë në listën e kuqezinjve. Protagonist, ishte portieri Strakosha që ditën e djeshme priti një penallti në Greqi, ndërkohë që titullarë luajti pas shumë kohësh edhe Elseid Hysaj te Lacio. Titullarë luajtën Berisha e Ramadani me Leçen, Gjimshiti me Atalantën e Asllani me Torinon.