Shqiptarët këtë vit konsumuan më shumë alkool dhe kafe

Shqiptarët këtë vit konsumuan më shumë alkool dhe kafe

Gjatë 2021 shqiptarët kanë konsumuar më shumë pije alkoolike, kafe dhe pije energjike.

Sipas doganave, importi i pijeve alkoolike në Shqipëri u rrit me 71 përqind në periudhën Janar-Korrik 2021, në krahasim me 7-mujorin e vitit 2020, ku konsumi shënoi një rënie me 42 përqind për shkak të karantinës totale.

Gjatë vitit 2020, pijet alkoolike ishin produkti që u godit më shumë nga pandemia kjo edhe për shkak të mbylljes së bareve dhe sidomos klubeve të natës.

Por ky vit ka sjellë një rritje të konsumit të tyre, edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 pasi ka zgjerim me rreth 51 përqind. Prodhimi vendas ishte 445 mijë litra për Janar-Korrik 2021, me rritje 53 përqind me bazë vjetore, por që ende është 18 përqind më i ulët se në 2019.

Por sipas Monitor, jo vetëm pijet alkoolike por edhe kafeja dhe pijet energjike kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë 7-mujorit të këtij viti. Sipas doganave në periudhën Janar-Korrik 2021 u importuan rreth 5 mijë ton kafe me një rritje prej 10 përqind në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s.

Importi i pijeve energjike për periudhën Janar-Korrik arriti 9.5 milionë litra, me një rritje prej 37 përqind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe gjatë 7-mujorit të vitit të mëparshëm, që përkon me periudhën kur vendi ishte në karantinë, sërish konsumi i këtij produkti ishte në rritje, me importet për 7-mujorin që u zgjeruan me 23 përqind në krahasim me vitin normal 2019.

Related Articles