Mandatari dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në dhomën ligjdhënëse të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e ka dorëzuar propozimin për përbërjen e qeverisë dhe programin për punën e saj, pasi të dielën në mbrëmje Komiteti ekzekutiv dhe komiteti qendror i kësaj partie konfirmuan pesëmbëdhjetë anëtarët.
Mickoski theksoi se qytetarët kanë pritshmëri të mëdha, sepse siç tha ai, në shtatë vitet e fundit vendi është pushtuar nga disa pushtetarë.
“Sapo kam dorëzuar programin e propozuar për qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Së bashku me programin, si listë shoqëruese është dorëzuar lista e anëtarëve të qeverisë së ardhshme dhe biografitë e tyre. Pres që të vihet para deputetëve këtë fundjavë, pra më 22-23 qershor. Qytetarët presin rezultate të shpejta për atë që premtoi kjo qeveri. Nuk premtuam shumë gjatë fushatës, por besuam se vendi do t’i përkiste edhe një herë qytetarëve. Për shtatë vitet e fundit, shteti u robërua nga disa pushtetarë”, tha Mickoski.
Ai theksoi se ka një grup njerëzish të cilët janë të motivuar që menjëherë të arrijnë rezultate dhe shprehu pritjen që secili do të investojë më shumë se kapaciteti i tij, sepse, nënvizoi, qytetarët e kanë bërë punën e tyre, tani është radha jonë.
Mandatari theksoi se do të bëjë një luftë të pakompromis kundër krimit dhe nuk do të ketë tolerancë, pavarësisht se nga cila palë vjen abuzimi. Mickoski tha se në periudhën e fundit kanë marrë informacione të shumta për keqpërdorime që kanë ndodhur në shtatë vitet e fundit.
“Ne planifikojmë të sqarojmë me dyshimet dhe informacionet që na kanë mbërritur së fundmi, për shumë abuzime në shtatë vitet e fundit, këtë ia kemi borxh qytetarëve. Pres rezultate të shpejta në fushën e ekonomisë. Të rinjtë do të jenë theksi ynë kryesor, jemi dëshmitarë të një eksodi klasik të të rinjve që largohen nga vendi, fatkeqësisht 8/10 e studentëve të mi kur i pyet për planet pas përfundimit të studimeve thonë se kanë vendosur të largohen nga vendi. Ai perceptim duhet të ndryshohet, me punë të palodhur, pa u ndarë në qytetarë të rendit të parë, të dytë dhe të tretë”, tha Mickoski.
Ai gjithashtu theksoi se të rinjtë do të jenë në fokus të punës së qeverisë së re.
Mickoski e përsëriti propozimin për qeverinë e ardhshme, gjegjësisht ministri i mëparshëm teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski si ministër në këtë dikaster, për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme kryetarin aktual të komunës së Aeroportit, Timço Mucuski, ndërsa për financa nënkryetaren e VMRO-DPMNE-së, Gordana Koçoska Dimitrieska. Për nënkryetar të Qeverisë dhe ministër të Transportit është propozuar nënkryetar i partisë dhe deputet në disa mandate Aleksandar Nikollovski, në dikasterin e mbrojtjes Vlado Misajlovski, deputet dhe ish-ministër i transportit, kurse për shoqëri informative dhe transformim digjital, zëvendësministri i mëparshëm shtesë në këtë dikaster, Stefan Andonovski. Ministër i Vetëqeverisjes Lokale do të jetë ish-drejtori i NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” Zlatko Pirinski, i cili në periudhën e kaluar ka drejtuar edhe kabinetin e Mickoskit.
Në Ministrinë e sapoformuar të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale është propozuar Sanja Bozhinovska, anëtare e tanishme e KE-së dhe ekspert në energjetikë, Cvetan Tripunovski në bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave si personel me përvojë shumëvjeçare në resorin, Profesoresha Vesna Janevska në arsim dhe shkencë, në Ministrisë për kulturë dhe turizëm aktori Zoran Lutkov dhe në Ministrinë e sportit hendbollisti Borko Ristovski.
Poste të zëvendëskryeministrave do të kenë edhe partnerët e koalicionit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e Serbëve, Lupço Dimovski, kryetar i PS-së do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër për sistemin politik, ndërsa Ivan Stoiljkoviq, kryetar i PDK-së, zëvendëskryeministër për marrëdhënie me komunitetet, ndërsa Shaban Saliu do të jetë ministër pa dikaster përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e dekadës së romëve.
Për Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe zëvendëskryeministër të Qeverisë janë propozuar Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, Ministër i Ekonomisë Besar Durmishi. Për ministër pa dikaster dhe zëvendëskryeministër për qeverisjen e mirë është propozuar Arben Fetai.
Për ministër të Drejtësisë është propozuar Igor Fillkob, ndërsa për ministër të Administratës publike, Goran Minçev nga Lëvizja ZNAM.
Votimi për qeverinë e re pritet të bëhet këtë fundjavë. Seancën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi pritet ta caktojë për të shtunën në ora 11:00 dhe duhet të përfundojë më së voni deri të dielën në mesnatë. /Klan Maqedonia