Një grua shtatzënë ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e infektimit me COVID-19.
Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar për Express doktoresha e mjekimit intensiv, Agreta Gecaj-Gashi, e cila ka deklaruar se 29-vjeçarja ka vdekur të hënën.
Ajo ka deklaruar se viktima nuk ka qenë e vaksinuar.
“Pardje ka vdekur, nuk ka qenë e vaksinuar. Viktima ka qenë e lindur në vitin 1991”, ka deklaruar Gecaj Gashi.
Ajo ka deklaruar se edhe katër gra shtatzëna që po trajtohen në mjekimin intensiv janë në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e infektimit me COVID-19.
Ndërkaq drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, ka treguar për Express se viktima ka qenë në javët e para të shtatzënisë.
“Pacientja ka ardhur nga Gjilani, ka qëndruar një kohë të shkurtë në Gjinekologji, pastaj në konsultim me mjekët tjerë është transferuar në mjekim intensive qendror. Ka qenë shtatzëni e hershme, në javën e 6-të”, ka deklaruar Ismajli.