Një shtetas i Serbisë ka sulmuar sot fizikisht një polic të Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Jarinjë sot rreth orës 16:30.
Policia njofton se shtetasit të Serbisë nuk i është lejuar hyrja në Kosovë për shkak se nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm.
Pas refuzimit për hyrjes në territorin e Kosovës, i dyshuari N.T. (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyejë zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në pikën kufitare.
“Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor” – thuhet në njoftim të Policisë.
Për rastin është njoftuar prokurori dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti sulm ndaj personit zyrtar dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.