Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk do të ketë vendim për shtyrje të afatit për targat, raporton Gazeta Enigma.
Kurti ka thënë se vendimi për targat nuk është kundër serbëve që jetojnë në Kosovë, sepse sipas tij kjo ofron lehtësime për ata dhe është në të mirën e tyre.
“Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë dhe dijen tonë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, përkundrazi janë masa për serbët që u ofrojnë lehtësime financiare.Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk mund të jemi të barabartë kur dikush ka targa RKS e dikush dëshiron t’i mirëmbajë KM”, ka thënë Kurti.
“Nuk është as hakmarrje, as inat, por është zbatim i ligjit që nuk i diskriminon njerëzit në bazë të përkatësisë etnike”, ka potencuar kryeministri Kurti.
Këto deklarata i pari i shtetit i dha pas Samitit të Ballkanin Perëndimor.
Rreth kësaj çështje ka folur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.
Gërvalla ka thënë se është e vështirë të flitet për stabilitet në Evropë pa përmendur 31 tetorin që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Serbisë nga periudha e para luftës.
“Është e vështirë të flitet për stabilitetin dhe paqen në Evropë pa folur për 31 tetorin që është çështja e zbatimit të ligjit që është shumë me rëndësi në Kosovë. Por, që shihet nga Serbia dhe Rusia si mundësi për të përforcuar rrezikun në Kosovë dhe vendet tjera”.
“Ne kemi një çështje që duhet ta përfundojmë në ditët e ardhshme dhe ka të bëjë me targat e makinave”.
“Kur të flasim për paqen dhe stabilitetin mes shumë vendeve duhet të përmendim edhe probleme të tilla teknike siç janë targat dhe kjo del nga ajo që jemi të mësuar me fqinjët tanë verior. Pasi ata [serbët] e marrin një problem të tillë teknik edhe e bëjnë çështje në vete si më të rëndësishëm kështu që gjysma e Evropës, partnerët tanë si ShBA dhe Mbretëria e Bashkuar po flasin me ne me muaj të tërë për çështjen e targave”.
“Kjo tregon se kur nuk dëshiron të zgjedhësh probleme bazike, dëshiron të humbësh kohën me gjëra të vogla”, tha Gërvalla.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me politologun Fidan Ukaj.
Ukaj tha se kërkesat e Emisarit Escobar, Lajçak dhe të vendeve të QUINT-it, për shtyrjen e afatit edhe për 10 muaj duhet të merren parasysh.
“Kërkesat e Emisarit Escobar, Lajçak dhe vendeve të QUINT-it se duhet të shtyhet afati edhe për 10 muaj duhet të merren parasysh, duke e pasur parasysh edhe procesin e vendimarrjes për vizat që po kalon Kosova”, tha Ukaj.
Sipas tij një vendim për shtyrjen e afatit kohor lidhur me çështjen e targave është në favor të Kosovës sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje rreth liberalizimit të vizave.
“Sa i përket shtyerjes së këtij afati mendojë se do t’i ndihmonte procesit të liberalizimit të vizave dhe mundësisë së gjetjes së një zgjidhjeje që po flitet se është afër”, u shpreh Ukaj për Enigmën.
Ndër të tjera theksoi se ata të cilët po e shkelin ligjin duhet ta kenë të qartë se është afati i fundit për ndërrimin e targave.
“Shkelësve të ligjit duhet t’u bëhet e qartë se kjo shtyrje është mundësi e fundit për ndrrimin e targave”, përfundoi Ukaj.
Reagimi lidhur me deklaratën e fundit të kryeministri Kurti, nuk mungoi as nga partitëm opozitare.
Kësaj radhe Partia Demokratike e Kosovës, ka shprehur qëndrimin e saj krah vendimit të Qeverisë.
Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, ka thënë se çfarëdo veprimi të cilin e ndërmerr Qeveria e Kosova në çështjen e targave e që respekton sovranitetin e vendit, e ka përkrahjen e kësaj partie.
Tahiri tutje shtoi se secili veprim i qeverisë së Kosovës në raport me atë të Serbisë, është i rëndësishëm që të koordinohet me ShBA-në.
“Secili veprim i qeverisë së Republikës së Kosovës që do të ndërmerret në raport me Republikën e Serbisë, padyshim që është shumë e rëndësishme që të koordinohet me ShBA-në, mirëpo më e rëndësishmja është që ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetin e Kosovës. Nuk mund të lejohet pafundësisht shfrytëzimi i targave të tilla dhe besoj që çfarëdo veprimi të cilin e ndërmerr qeveria e Kosovës e që respekton sovranitetin e vendit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës, padyshim që do ta ketë përkrahjen e PDK-së”, tha Tahiri.
Kujtojmë që edhe Gabriel Escobar por edhe Miroslav Lajçak i shtruan kërkesën Kosovës që të shtyjë afatin për targat edhe 10 muaj./GAZETAENIGMA/