“Shumica e ka monipolizuar Kuvendin” – Ndalohet transmetimi online i komisioneve parlamentare

“Shumica e ka monipolizuar Kuvendin” – Ndalohet transmetimi online i komisioneve parlamentare

Para disa ditësh u raportua se me vendimin e fundit nga Kuvendi, mbledhjet e Komisioneve Parlamentare nuk do të transmetohen më online, raporton Gazeta Enigma.

Një vendim i tillë nuk u prit fare mirë, juristja e mediave Flutura Kusari përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook, ‘denoncoi’ Kuvendin e Kosovës si jotransparent në raport me publikun në këtë legjislaturë.

‘Publiku nuk ka më mundësi që t’i përcjellë mbledhjet e Komisioneve Parlamentare online siç ka pasur mundësi në të kaluarën sepse Kuvendi e ka ndërpre transmetimin online. Kjo është legjislatura më jotransparente që kemi’, ka shkruar Kusari.

Ajo theksoi se transparenca e pushtetit nuk është përmirësuar, por përkundrazi ka pësuar regres.

‘Jo vetëm që nuk është përmirësu transparenca por ka regres. Ndalimi i transmetimit të mbledhjeve të komisioneve ia pamundëson mediave, shoqërisë civile, aktivistëve dhe publikut që të monitorojnë punën e Kuvendit’, deklaroi Kusari.

Nga opozita, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj, në një përgjigje për Gazetën Enigma lidhur me këtë vendim tha se kjo qeverisje nuk ka transparencë, e as kulturë të bashkëpunimit.

‘Në këtë qeverisje, mendojë që shumica parlamentare nuk ka transparencë, nuk ka kulturë politike të bashkëpunimit ndërpartiak për tema të mëdha në interes të shtetit, e deri tek mungesat teknike në Kuvend që nuk punojnë mikrofonat, kartelat e seancave, nuk kemi ndriçim, ajrosje, letra, kimika e të tjera’, theksoi Lekaj.

Sipas tij Komisionet Parlamentare duhet të jenë të hapura për media, gazetarë dhe të transmetohen online përveç ndonjë rast për shkaqe konfidencialiteti ku publiku duhet të largohet nga mbledhja shkurt.

‘Komisionet Parlamentare janë të hapura për media, gazetarë dhe të transmetohen online, përjashtu të ndonjë pjese të konfidencialitetit kur duhet të largohet publiku për një kohë të shkurtë’, tha deputeti i AAK-së.

Lekaj potencoi se vendimi deri tek transmetimi online i mbledhjeve rrjedhi si pasojë e pandemisë COVID-19, ku për shkak të masave të parapara për atë kohë me qëllim që publiku, qytetarët të jenë të informuar filloi transmetimi online pa praninë e mediave.

‘Në kohën e pandemisë Kuvendi mori vendimin që Komisionet Parlamentare të transmetohen online pa prezencën e mediavepër shkak të masave, me qëllim që qytetarër të jenë të informuar mbi çdo ngjarje’, vazhdoi Lekaj.

Por sipas tij trasnemtimi online duhe te vazhdojë nga Kuvendi, për arsye se është hierarkia më e lartë e institucioneve të shtetit dhe duhet të jenë sa më transparent në raport me qytetarët e Republikës, por që një vendim i tillë është marrë nga shumica parlamentare që e kanë monopolizuar Kuvendin.

‘A ka nevojë që Kuvendi të marrë përsipër çdo transmetim të Komisioneve online?! Mendojë që po dhe kjo duhet të bëhet sepse është hierarkia më e lartë e institucionale e shtëtit të Kosovës, dhe duhet të jemi sa më rransparentë, por që këtë vendim e merrë shumica parlamentare e cila mendojë që e ka monopolizuar punën dhe zhvillimet në Kuvend’, përfundoi Lekaj për Enigmën.

Ndërkohë, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Valentina BunjakuRexhepi për Enigmën thotë se kategorikisht e kundërshton një vendim të tillë.

“Si anëtare e Komisionit Parlamentar, si deputete, kundërshtoj fuqishëm ndalimin e transmetimit të mbledhjeve online dhe të komisioneve. Nuk do të lejojmë mbylljen, fshehjen dhe kontrollin e medieve”, u shpreh Bunjaku-Rexhepi.

Vendimet e tilla deputetja e LDK-së i cilëson diktatoriale e autoritariste.

“Vetëm autoritaristët e diktatorët duan të kontrollojnë përshtypjet e qytetarëve dhe kritikat e mediave”, përfundoi ajo.

Gazeta Enigma ka provuar të kontaktojë me Kuvendin rreth këtij vendimi, por ‘heshtja’ ishte përgjigja e tyre./GAZETAENIGMA/

Related Articles