Shuplaka e Molliqajt ndaj policit – Sa mund të dënohet?

Shuplaka e Molliqajt ndaj policit – Sa mund të dënohet?

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, konsideron që kryetari i Partisë Sociale Demokrate, Dardan Molliqaj, është dashtë të arrestohet menjëherë pasi të shtunën e 29 janarit e goditi me shuplakë një zyrtar policor gjatë protestës kundër shtrenjtimit të rrymës, shkruan Gazeta Enigma.

“Në rastin kur e ka godit policin me shuplakë është dashtë të arrestohet menjëherë, pas diskutim”, tha Qalaj.

“Varet a i bonjë kallëzim penal policia e a jo, edhe varet polici a ka pas lëndime. Nëse s’ka pas lëndime është kundërvajtje, por nëse ka pas mundet me marr dënim më të madh”.

Ndërkaq sipas juristit Mentor Beqiri, Kodi Penal i RKS parasheh në nenin 402 veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar.

“Ne parim, kushdo që sulmon një person zyrtar dënohet nga 3 muaj deri në 3 vite burgim, nëse personi zyrtar është polic, sulmuesi dënohet nga 6 muaj deri 5 vite burgim”, theksoi Beqiri.

Por, sipas tij, nëse është provokuar Molliqaj, dënimi ndaj tij mund të zbutet

“Duhet cekur, se nëse kryesi i kësaj vepre penale është provokuar nga ndonjë veprim i kundërligjshëm ose i vrazhdë i personit zyrtar, dënimi ndaj tij zbutet”.

Tre zyrtarë policor janë lënduar të shtunën në protestën e organizuar nga PSD kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhërata e zyrtarëve policor, të cilët përtej hedhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor që ishin në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin për medie të Policisë së Kosovës.

“Policia ka monitoruar situatën me qëllim të ruajtjes së nivelit të sigurisë dhe krijimit të rrethanave të përshtatshme dhe të sigurta për pjesëmarrësit në manifestim si dhe mbarëvajtjen e manifestimit, por pa u cenuar cilësia e jetës për pjesën tjetër qytetare, jo pjesëmarrëse”.

Policia e Kosovës përmes një postimi në Facebook e ka konfirmuar arrestimin e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Arrestimi u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast policia arrestoi të dyshuarin D. M, mashkull 37 vjeç, për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022”, ka njoftuar policia.

Ndërkohë që policia kishte kërkuar të njëjtin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur. /Gazeta Enigma/

Related Articles