Në kërkesën e Beogradit për futjen ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë dërguar KFOR-it, pretendohen “arsyet se pse është e nevojshme” futja e forcave serbe.
Ndërsa në dokument janë bashkëngjitur edhe të dhënat të cilat i ka sajuar Serbia “për cenueshmërinë e serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë” me përshkrime grafike të “spastrimit etnik pas vitit 1999” dhe një listë të “hyrjeve të paligjshme” të forcave speciale të Kosovës në veri të Kosovës”.
“Kthimi i ushtrisë dhe policisë serbe nuk paraqet vetëm mundësi, por me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB është krijuar mundësia që KFOR-i të mundësojë këtë kthim”, pretendohet në kërkesën e Beogradit, transmeton Paparaci.
Pastaj në tekst listohen “arsyet” që Serbia mendon se japin bazë për ndërmarrjen e një aksioni të tillë:
“- Pamundësia e kryerjes së funksioneve themelore të pranisë ushtarake ndërkombëtare, e cila rezultoi ndër të tjera me formimin e formacioneve të armatosura të afta për të hyrë në pjesën veriore të Kosovës.
– Dëbimi i popullatës serbe nga territori i Kosovës dhe Metohisë dhe mos sigurimi i kushteve minimale për kthimin e popullsisë së zhvendosur.
– Shkatërrimi i objekteve fetare dhe kulturore dhe vjedhja e pasurisë së kishës, e cila arriti përmasat e gjenocidit kulturor, ndërsa Rezoluta 1244 konfirmon të drejtën e Republikës së Serbisë për të siguruar praninë ushtarake dhe policore për të mbrojtur vendet e saj të shenjta.
– Uzurpimi i pronës shtetërore.
– Pamundësia e pranisë civile ndërkombëtare për të siguruar respektimin minimal të parimeve të sundimit të ligjit.
– Shkelje e përhershme, nga Prishtina, e marrëveshjeve të arritura në dialogun e zhvilluar nën patronazhin e BE-së”.