Pas masakrës së Reçakut udhëheqësit serbë kishin provuar që të kamuflonin çfarë kishte ndodhur dhe ta prezantonin si një betejë mes ushtrisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata kishin prodhuar disa skenarë për t’i prezantuar si e vërteta alternative e situatës që të krijonin huti.
Por, përkundër ndërkombëtarëve që kishin parë çfarë kishte ndodhur, një shërbim të madh të vërtetës së situatës i kishte bërë gazetari Jeffrey Smith, në një artikull të Washington Post me 28 janar 1999.
Artikulli zbulonte telefonata në mes të zyrtarëve të lartë serbë dhe bisedat e tyre se si ta fshehin çfarë kishte ndodhur.
Në një seri telefonatash zëvendës-kryeministri serb, Nikola Sainoviç dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Sreten Lukiç, kishin shprehur shqetësime për reagimin ndërkombëtar për çfarë kishte ndodhur në Reçak dhe kishin diskutuar si t’i bëjnë vrasjet të duken sikur ndodhën pas një beteje mes trupave serbe dhe pjesëtarëve të UÇK-së”, tregonte artikulli i Smith.
“Objektivi ishte të sfidoheshin informacionet nga ata që kishin shpëtuar se viktimat ishin vrarë me ekzekutim dhe ishin masakruar dhe të shmangnin përgjigjen ushtarake të NATO-s”.
Siç thuhet në artikullin e The Post “Sainoviç është zyrtari më i lartë në qeverinë e Serbisë përgjegjës për Kosovën dhe ka qenë prezent në shumicën e negociatave me top diplomatët perëndimorë; disa zyrtarë perëndimorë kanë thënë se ata e dinë se ai i raporton Millosheviç-it. ‘Ne shpesh e shohim atë si lidhja në mes të qeverisë në Beograd dhe administratës serbe në Kosovë’”, i kishte treguar një zyrtar ndërkombëtar gazetarit, shkruan Albanian Post.
Ndërsa, një burim i afërt me telefonatat në mes të liderëve ushtarakë serbë në Kosovë dhe zyrtarëve në Beograd që u zhvilluan me 15 janar, por që kishin vazhduar edhe disa ditë më pas, kishte thënë se “ishte e qëllimshme që të shkohej rëndë (në Reçak)”, për të gjetur tre ushtarë të UÇK-së që Serbia i akuzonte për një sulm të një kolone të ministrisë së brendshme serbe me 8 janar në jug-perëndim të Reçakut, ku tre ushtarë serbë kishin mbetur të vdekur.
“Ishte një mision i kërkim shkatërrimit”, me aprovim direkt nga Beogradi, kishte thënë burimi.
“Derisa zhurma e tankeve dhe jehona e plumbave vazhdonin të dëgjoheshin në kodrat e Reçakut, Sainovç-i kishte thirrur Lukiç-in nga Beogradi”, sipas një burimi të gazetës.
“Sainov֛iç e dinte se sulmi kishte filluar dhe ai donte gjeneralin në telefon që të kuptonte se sa njerëz janë vrarë. Lukiç i kishte thënë se për momentin janë 22 të vrarë”, tregonte burimi.
“Në një telefonatë në ditët në vazhdim, Sainoviç dhe Lukiç kishin shprehur shqetësime për reagimin ndërkombëtar dhe kishin diskutuar si t’i bëjnë vrasjet të duken si një fushëbetejë e armatosur. Përpjekja e tyre për të mbuluar çfarë kishin bërë vazhdoi. Një nga masat që Sainoviç kishte thënë të merrej në këto telefonata të tij, ishte që të mbyllet kufiri me Maqedoninë që të ndalohet Louise Arbour, top-hetuesi për krime lufte i OKB-së që të futej në Kosovë”.
“Arbour-it iu desh të kthehej. Një tjetër ishte që të bënin luftë sërish për të fituar kontrollin prapë në atë pjesë dhe t’i marrin trupat e të masakruarve”.
Forcat serbe kishin lëshuar një sulm të dytë në fshat me 17 janar, dhe aty kishin marrë trupat nga një xhami në fshat dhe dërguar në murg në Prishtinë.
Një ide tjetër ishte të shihet nëse është mundësia të nxjerrin thashetheme se ata i ka vrarë një grup i tretë i pavarur, që kinse ka ardhur në rajon dhe ka sulmuar banorët e Reçakut pasi që trupat zyrtare serbe veç ishin larguar”.
Pak pas sulmit, një zëdhënës i qeverisë serbe kishte thënë se trupat në kodrina ishin të armatosur, ushtarë të uniformuar të UÇK-së.
Por, kjo ishte hedhur poshtë nga inspektorët ndërkombëtarë dhe gazetarët që ishin në terren në vendin e ngjarjes me 16 janar, dhe kishin parë trupat e civilëve të vrarë. Të gjithë ishin me rroba civile.
Një tjetër zyrtar serb më vonë kishte thënë se disa nga viktimat u vranë se u futën në mes shkëmbimit të zjarrit mes forcave të armatosura. Por, të mbijetuarit, observoheshit ndërkombëtarë dhe nga UÇK kishin treguar se fare pak të shtëna ka pasur në atë kohë në fshat dhe se s’ishte zhvilluar ndonjë betejë në atë orë, rreth orës 13:00, koha kur shumica e viktimave ishin vrarë.
Një ekip finlandez i forenzikës që kishte mbërritur në Kosovë një javë pas vrasjeve, nuk kishte gjetur asgjë nga ato që kishin komentuar zyrtarët serbë.
“Një pamje kanë filluar të na japin provat nga autopsia dhe është pamje tragjike”, kishte thënë një burim duke shpjeguar se lloji i plagëve të viktimave tregon se ata “ishin poshtëruar” para se të vriteshin.
Çfarë kishin gjetur ata nga 40 autopsitë e fundit ishte se përfundimet jepnin atë çfarë u kishte treguar me 16 janar, Imri Jakupi, 32 vjeçar, banor i Reçakut që kishte treguar se i shpejtoi vdekjes duke ikur në mal.
Ai kishte deklaruar se ai dhe burra të tjerë ishin bërë rresht nga serbët pasi i kishin mbledhur shpi për shpi dhe i kishin detyruar të ecnin para trupave “derisa filluan të qëllonin në ne… të shtënat vinin nga të gjitha anët”.
Shumica e trupave serbe që kishin marrë pjesë në masakër kishin të mbuluara fytyrat në maska të zeza, por të mbijetuarit tregonin se i kishin njohur disa prej tyre që ishin policë lokalë serbë dhe civilë serbë të veshur me uniforma.
Jakupi dhe Rem Shabani, edhe ky nga Reçaku, patën deklaruar se kishin dëgjuar disa nga bisedat e serbëve që po kryenin operacionin.
“Sa prej tyre janë?”, njëra palë kishte pyetur, derisa Shabani kujton se fjalinë e fundit që kishte dëgjuar ishte “në rregull, silli lart”.
Shabani pohonte se më pas kishte dëgjuar edhe një fjali duke i thënë përmes telefonit “në rregull, tash bëhuni gati t’i qëlloni”.
Në këtë moment, ai kishte ikur me vrap.