Si po ndikon Ligji i ri për rregullat të trafik? – Afër 30 mijë gjoba për një muaj

Si po ndikon Ligji i ri për rregullat të trafik? – Afër 30 mijë gjoba për një muaj

Ka kaluar një muaj që kur ka nisur implementimi i Ligjit të ri për rregullat në trafik, shkruan Gazeta “Enigma”.

Policia e Kosovës vetëm në muajin e parë të implementimit të Ligjit të ri për rregullat në trafik për tejkalim të shpejtësisë ka gjobitur 27 mijë e 3 qytetarë.

Sipas Policisë ky ligj është bërë me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin normal të rrjedhës në trafik.

“Masat e ndërmarra nga Policia sipas Ligjit të ri Nr. 08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor gjatë implementimit në muajin e parë!”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së trafikut, Policia e Kosovës gjatë muajit të parë të implementimit të ligjit të ri të trafikut ka ndërmarrë fushata për vetëdijesimin dhe sensibilizimit e qytetarëve në respektim të rregullave dhe kontributit të përbashkët për parandalimin e aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftimin e tyre.

Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat në trafik.

“Policia e Kosovës, apelon të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e trafikut sepse vetëm bashkërisht mund të kontribuojmë në sigurinë rrugore duke shpëtuar veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik”.

Sipas Policisë gjatë periudhës një mujore (03.04.2024 deri 03.05.2024) të implementimit të Ligjit të ri Nr. 08/L-186 për rregullat e trafikut ndaj kundërvajtësve janë ndërmarrë edhe këto masa ligjore:

Policia tutje ka njoftuar se vetëm në muajin e parë të implementimit të Ligjit të ri për rregullat në trafik për tejkalim të shpejtësisë ka gjobitur 27 mijë e 3 qytetarë.

Ndërsa 4 mijë e 548 janë dënuar për mospërdorim të rripit të sigurisë.

Për përdorim të telefonit gjatë vozitjes 2 mijë e 659 qytetarë kanë marrë gjoba nga Policia e Kosovës.

667 dënime janë shqiptuar nga Policia për shoferë të hasur me masë mbrojtëse.

Brenda muajit për tejkalim në vende të ndaluara Policia ka gjobitur 324 persona.

Vetëm për një muaj Policia e Kosovës ka dënuar 659 qytetarë që kanë qenë në lëvizje me mjete të pa regjistruara mbi 30 ditë.

73 persona janë dënuar për mos përdorim të helmetës.

Policia e Kosovës vetëm në muajin e parë të implementimit të Ligjit të ri për rregullat në trafik ka gjobitur 29 persona për realizimin e garave ilegale të shpejtësisë.

Për mos respektimin e drejtimit të trotineteve janë gjobitur 27 persona vetëm brenda një muaji.

Për përdorim të alkoolit janë gjobitur 45 persona.

Për fëmijët që janë ulur në ulësen e parë janë dënuar 76 persona.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit, Bekim Ahmeti, i cili ka theksuar se këto masa do të ketë ndikim, por jo efekt.

Sipas tij kjo do të ndodhë për shkak që Policia e Kosovës nuk mund ta mbuloj tërë territorin e Kosovës në mënyrë të kënaqshme pa prezencën e inteligjencës artificiale.

“Nuk kemi vlera krahasuese me muajt e kaluar se a ka pas efekt ligji i ri apo jo, në aspektin e implementimit dhe të vetëdijesimit, mirëpo ashtu siç e kemi theksuar edhe në të kaluarën pa prezencën e inteligjencës artificiale nuk ka mundësi të rregullohet komunikacioni. Kamerat e rrugës, radarët mobil dhe statike janë jetike për komunikacionin dhe aspektin e sigurisë”, deklaroi Ahmeti për “Enigmën”.

Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me ekspertin e sigurisë, Dizan Shalën, i cili ka deklaruar se ligji i ri ka për qëllim rikthimin e normalitetit në rrugët e vendit tonë.

“Ligji i ri i komunikacionit efektin në masën e rritjes së sigurisë në komunikacion respektivisht në sigurinë publike do të vërehet në 6 mujorshin e parë”, tha ai për “Enigmën”.

Tutje ai ka shtuar se me anë të këtij ligji na dha dy impakte që reflektuan nga implementimi i këtij ligji.

“Tregoj që gjendja ishte jashtë kontrollit në rrugët tona duke mundësuar që kryesit e kundërvajtjes të mos ndëshkohen me ligjin e vjetër, dhe po ashtu tregoj që siguria tani në komunikacion po merr trajektoren faktike duke paraqitur gjendjen reale dhe marrjen e masave dhe veprimeve preventive”, deklaroi Shala.

Kujtojmë se sipas Ligjit Nr.09/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, parashihet që për mos vendosjen e rripit të sigurisë, si për vozitësit po ashtu edhe për pasagjerët e tjerë dënimi nga sot do të jetë 150 euro.

Sipas këtyre rregullave të reja gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes herën e pare dënohet me 100 euro + 1 pikë negative.

Ndërsa për herën e dytë dënimi është 200 euro + 3 muaj ndalim i drejtimit të mjetit + 2 pikë negative.

Shoferi I cili haset më shumë se dy here me telefon gjatë vozitjes dënohet me 500 euro + 6 muaj ndalim i drejtimit të mjetit + 3 pikë negative. /Gazeta Enigma/

Related Articles