Si refuzoi komandanti i xhandarmërisë franceze ta arrestonte Oliver Ivanoviqin

Si refuzoi komandanti i xhandarmërisë franceze ta arrestonte Oliver Ivanoviqin

Ish-gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë Mahmut Halimi dhe hetuesi në Njësinë për krime lufte në UNMIK, Gi Bourassa, kishin siguruar prova të mjaftueshme për ta arrestuar Oliver Ivanoviqin qysh në fillim të vitit 2000. Këta të dy kishin dorëzuar kërkesën për arrestimin e Ivanoviqit shefit të Xhandarmërisë franceze në Mitrovicë, por që ky i fundit kishte refuzuar me arsyetimin se “mund të ndizet Lufta e Tretë Botërore”.

“Kemi shkuar së bashku me hetuesin i cili ka kërkuar nga komandanti i Xhandarmërisë së atëhershme që të krijojë mundësi dhe forca për ta arrestuar Oliver Ivanoviqin, mirëpo ai thjeshtë ka refuzuar demonstrativisht dhe ka thënë ti po don me ma kërcit Luftën e Tretë Botërore këtu dhe xhandarët e mi nuk kanë ardhur që të vdesin në Kosovë. Kjo ka ndodhur diku në prill të vitit 2000”, kishte deklaruar për Koha.net ish-gjyqtari Halimi pas arrestimit të Ivanoviqit nga EULEX-i.

“Gi Bourassa është konfrontuar jashtëzakonisht ashpër me komandantin e xhandarmërisë franceze. Ka qenë një komunikim jashtëzakonisht i ashpër i cili për pasojë pas dy jave ose tri ka pasur dorëheqjen e Gi Bourassa nga misioni dhe kthimin e tij në Kanada. Para se të shkonte, ka ardhur në shtëpinë time dhe jemi përshëndet para largimit nga Kosova”, ka shtuar ai.

Halimi dhe Bourassa kishin punuar dhe siguruar prova që siç i kishin arrestuar 7 serbë të tjerë, ta arrestonin edhe Ivanoviqin që dyshohej se si drejtues i një njësie policore kishte marrë pjesë në pushkatimin e 22 shqiptarëve në lagjen e Kovaçëve në Mitrovicë më 14 prill 1999. Ndërkohë edhe të dyshuarit tjerë kishin ikur nga burgu i Mitrovicës.

Të dyshuarit si pjesëmarrës në krim me Ivanoviqin, kishin ikur nga Burgu i Mitrovicës në vitin 2000. Ata ishin akuzuar për gjenocid. Më 24 shkurt 2000 nga kjo qendër paraburgimi kishte ikur Goran Lakusiq, Lulzim Ademi. Në maj 2000 kishte ikur Dejan Slaviq, më 4 gusht 2000 kishte ikur Dragisha Pejiq, Dragan Jovanoviq që më vonë ka vdekur dhe Vlastimir Aleksiq.

Më 7 shtator kishin ikur Dejan Miçiq, Lubomir Stoliq, Vladica Maksimoviq, Vekoslav Simiq, Stanislav Leviq, Nenad Matiq dhe Lubisha Miladenoviq. Asnjëri prej tyre nuk është arrestuar më e as gjykuar për krime lufte. Ikja e tyre kishte ndodhur në mënyrë të organizuar në kohën kur ky burg administrohej nga pjesëtarët e UNMIK-ut.

Menjëherë pas kësaj ngjarje kishte dhënë dorëheqje Mahmut Halimi. Ky i fundit që nga ajo kohë punon si avokat.

Ish-lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, u vra me 6 plumba pesë vite më parë para zyrave të tij në veri të Mitrovicës.

Në pesë vjetorin e Ivanoviqit, kryeministri Albin Kurti e përkujtoi atë si një qytetar “të përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Related Articles