Sindikata “Punëtori” e kompanisë “Pastrimi” të enjten ka njoftuar se gjatë grevës së punëtorëve të ndërmarrjes para Komunës së Prishtinës, janë ofenduar nga persona të paidentifikuar, raporton Gazeta Enigma.
Siç theksohet në njoftim punëtorët janë ofenduar me fjalë fyese si: “Ecni, hupni prej këtu, bërllogxhinj!”
“Kjo sjellje është e papranueshme dhe cenon të drejtën tonë legjitime për të protestuar në mënyrë të qetë për të drejtat tona”, thuhet në reagim.
Sindikata i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të garantojë sigurinë e protestuesve dhe të ndërmarrë hapa për identifikimin dhe ndëshkimin e personave që kanë shkaktuar provokime në vendin e grevës. “Falënderojmë mediat për mbështetjen dhe raportimin e drejtë të situatës, duke kontribuar në transparencë dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve”, përfundon reagimi i Sindikatës “Punëtori”.