Sindikata e Policisë së Kosovës sot do të zhvillojë takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Takimi pritet të fillojë në orën 11:00.
Policia e Kosovës dhe Sindikata e Policisë kanë protestuar para disa ditësh, ku kanë paraqitur 14 kërkesa, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës.
Të shtunën e 9 dhjetorit, njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë këtu njësitë speciale, hetues të departamenteve të ndryshme ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë.
14 kërkesat e Policisë janë:
- Përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi siç janë: Veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete dhe pajisje të tjera të domosdoshme nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.
- Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë e përhershme dhe të mos varet nga një vend apo lokacion i caktuar si dhe kërkojmë që shtesat e rrezikshmërisë në punë të jenë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë dhe të formohet një komision që të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave të rrezikshmërisë.
- Përfshirja e disa njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.
- Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare i njëjtë me ligjin për FSK-në.
- Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit për buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore për mbulimin e shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.
- Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së që janë lënduar gjatë detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond ose të caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.
- Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.
- Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e PK-së, dhe jo në mënyrë selektive.
- Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.
- Shtesa për fundvit në vlerën e një page për të gjithë ata që kanë treguar përformancë të mirë gjatë fundvitit.
- Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikmit shkollor.
- Të rikthehen tre paga përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.
- Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët mund të kenë rast vdekje në familjen e ngushtë.
- Përkujdesja për mirëqenie për pjesëtarët e PK-së që kanë rënë ose lënduar gjatë detyrës zyrtare si p.sh; shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët ose anëtarëve të ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.