Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka reaguar pas rastit të sulmit fizik që ka ndodhur të mërkurën ndaj një të moshuare në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Kjo sindikatë ka thënë se veprime të tilla si ai i infermieres në shtëpinë për të moshuarit në Pejë nuk pranohen dhe nuk tolerohen.
“Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ndihet tejet e shqetësuar me pamjet e shfaqura në media ku një punonjëse e një shtëpie për të moshuar në Pejë, shihet duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuare. Duke falënderuar qytetarët për besueshmërinë që kanë në infermierët dhe profesionin e infermierit, i sigurojmë që veprimet e tilla asnjëherë nuk do i pranojmë dhe tolerojmë”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Kjo sindikatë ka bërë thirrje ndaj Odës së Infermierëve të Kosovës që t’u hiqet licenca infermiereve të përfshira në këtë rast.
Në këtë mënyrë, sipas Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, do të mbrohen edhe infermierët tjerë nga njollosja e profesionit të tyre.
“Sjellje të tilla nuk u përkasin infermierëve, andaj ftojmë OIK (Oda e Infermierëve të Kosovës) që tani pas konfirmimit nga ana e Inspektoratit dhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me validitetin e licencave të punës të marrë masa urgjente ndaj atyre ‘infermiereve’, me ç’rast do mbrohen edhe infermierët e tjerë nga njollosja e profesionit të infermierit si dhe duke siguruar qytetarët që vepra të tilla nuk do të tolerohen”, është thënë më tej në reagim.